Katër ditë pas atentatit në Shkodër ka ndërruar jetë Bashkim Basha, 67-vjeçari që u përplas nga makina me të cilën po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët po ashtu mbetën viktima të atentatit. 67-vjeçari prej 30 tetorit ishte në gjendje të rëndë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa bashkëshortja e tij, Flutura Basha, ndërroi jetë në vendngjarje.
“Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Me vdekjen e 67-vjeçarit ka shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati në Dobraç të Shkodrës. Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Flutura dhe Bashkim Basha. Ata po shkonin në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë sot në spital.