Grupi hetimor i ngritur për masakrën në Dobraç në Shkodër ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagos një tjetër, është vënë në kërkim të personave që mund të kenë luajtur rolin e organizatorit. Në kërkim nga policia janë disa anëtarë të grupit të Bajrave, ku në mesin e tyre janë edhe Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, por ende nuk janë gjetur.
Grupi hetimor është përqendruar në marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, për të gjurmuar mjetin “Range Rover Sport”, e cila u përdor nga autorët ditën e ngjarjes. Për shkak se makina u dogj nga autorët pas atentatit, targat e mjetit janë të pakuptueshme e po ashtu edhe numri i shasisë. Në të tilla kushte, Policia po merr denoncimet që janë bërë më 12 drejtori vendore mbi kallëzimet për vjedhje të këtij lloj automjeti. Ky detaj ndoshta do të zbulojë më shumë për organizatorët e ngjarjes.
Gjithashtu ende nuk është verifikuar se cili është personi që është i gjithi me gjak në videon e publikuar. Autoritetet nuk kanë zbuluar se kush ishte shënjestra e atentatit./Zeri