Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha duket se është gati për dy sfidat e radhës në Ligën e Kombeve përballë Republikës Çeke dhe Ukrainës në “Arenën Kombëtare”.

Gardiani kuqezi shprehet se ndeshja me çekët është “finalja” e parë që duhet fituar, në mënyrë për të arritur objektivat e skuadrës.
“Me Çekinë kemi bërë ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit. Nuk u futëm në lojë siç duhet dhe pësuam në dy minutat e para. Kemi dy finale brenda në shtëpi, mendoj se të gjithë jemi të përgatitur mirë. Do japim maksimumin dhe do ja dalim.

Nuk duhet të bëjmë diçka më shumë. Ekipi është pak a shumë njësoj. Vijmë nga një Europian i mirë. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun që na përkrah. Duhet të japim maksimumin me zemër dhe t’ia dalim.
Për çdo futbollist është motivim. Stadiumet plotë na japin motivim dhe është një ndjesi e bukur për ne dhe për çdo shqiptar.
Ne luajmë si ekip, mbrojmë si ekip, sulmojmë si ekip. Futbolli është kolektiv dhe duhet të japim maksimumin të gjithë bashkë, të mbrojmë mirë dhe të sulmojmë mirë.
Konkurrenca për portën? Duhet pyetur trajneri. Unë jap gjithmonë maksimumin. Konkurrenca duhet rritur normale. Ka qenë koha kur nuk kishte konkurrencë në asnjë pozicion. Kështu që është gjë e mirë që kemi konkurrencë, sepse na ndihmon dhe të rritemi.

Urime për Sherrin. Nuk e pashë ndeshjen, por e kapi shansin. Shpresoj të jetë titullar për Cagliarin. Këshilla nuk mund t’i japë sepse ai është shumë i zoti, por i uroj vetëm suksese.

Ndeshja e parë me Çekinë është më e rëndësishmja, sepse çfarë ndodh me Ukrainën duhet parë pas. Ndeshja e parë me Çekinë ishte më e dobëta në Nations League dhe rezultati në këtë ndeshje do na tregojnë çfarë ndodh pas.

Më mungon Berisha normale, sepse ka dhënë eksperiencën me Kombëtaren. Etritin e njoh për 12 vite dhe na mungon jo vetëm si portier, por edhe si njeri”, u shpreh Strakosha.