Ivan Balliu ka plotësuar një prej ëndrrave më të mëdha të çdo fëmije që dashuron futbollin. Hapat e tij të parë i ka hedhur në La Masia, duke u formuar në një prej klubeve më të mëdha të botës, në Barcelonë. Në një intervistë për gazetarin Ivan Vargas, Balliu ka treguar se si përfundoi në radhët e klubit katalanas. Ai ka zbuluar se fillimisht ra dakort për të shkuar te Reali i Madridit, teksa vizitoi edhe ambientet e klubit. Por vetëm një javë më vonë telefonoi Barcelona dhe familja vendosi që skuadra blaugrana të ishte zgjedhja e mbrojtësit të djathtë, asokohe vetëm 11 vjeç. Shkak ishte afërsia me qytetin e tij të lindjes, Gironën.
“Reali i Madridit më kontaktoi dhe madje ne erdhëm për të parë ambientet. Isha në qytetin e vjetër të sportit, megjithëse më thanë se nuk do të shkoja atje pasi një i ri ishte ndërtuar në Valdebebas. Më pas, bëmë një tur në ‘Bernabeu’, vizituam shkollën ku do të shkoja dhe gjërat e tjera. Vendosëm të qendronim.
Rreth një javë më pas, Barcelona na telefonoi dhe nuk e di si ia dolën që të mos shkoja në Madrid. Në fund kalimi te Barça ishte një çështje familjare, të qenurit pranë tyre, duke qenë se Girona është vetëm një orë larg Barcelonës. Kështu ishte me lehtë”, ka treguar Ivan Balliu.