Shumë njerëz planifikojnë të mbledhin familjen dhe miqtë gjatë festave të fund vitit për të kremtuar, për të krijuar kujtime e për të ndarë dhurata. Por, ndonjëherë në këto organizime ekziston edhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve. “Organizime të tilla rrisin rrezikun e përhapjes së infeksioneve, veçanërisht te fëmijët, anëtarët e moshuar të familjes dhe ata me imunitet më të dobët ose sëmundje më kronike”-thotë mjekja Varvara Probst për Fox News. Vaksinimi luan një rol kyç në parandalimin e sëmundjeve gjatë festave, thekson Dr. Varvara Probst.

Vaksinimi i rregullt kundër gripit dhe Covid-it është një nga strategjitë më efektive për uljen e rrezikut të infektimit dhe shtrimit në spital. Ndërsa këto hapa nuk mund të parandalojnë çdo sëmundje, ato reduktojnë ndjeshëm rrezikun e infeksioneve serioze dhe ndihmojnë që mbledhjet familjare të jenë më të sigurta dhe më të këndshme për të gjithë. Larja e rregullt dhe e plotë e duarve është një metodë e thjeshtë por e fuqishme për të parandaluar përhapjen e baktereve midis njerëzve dhe nga sipërfaqet e kontaminuara si dorezat e dyerve dhe mobiljet, bien dakord mjekët. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë udhëtimeve të gjata ose nëse dikush nuk ndihet mirë në shtëpi. Gjithashtu, është mirë që të shmanget prekja e syve, hundës apo gojës me duar të palara, pasi kjo mund të futë mikroorganizma direkt në zonat ku ka më shumë gjasa të zhvillohet infeksioni, paralajmëroi mjeku.

Sa herë që është e mundur, shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit që kanë të ftohtë ose probleme me stomakun. Fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje shëndetësore ekzistuese ose imunitet të dobësuar janë më të rrezikuarit. Nëse duhet të jeni në kontakt me dikë që është i sëmurë, mbajtja e maskës dhe larja e shpeshtë e duarve mund të zvogëlojë ekspozimin ndaj infeksionit.Njerëzit që janë në rrezik më të lartë duhet të shmangin turmat sepse bakteret dhe viruset mund të qëndrojnë më gjatë në ajër dhe kështu janë më të lehta për t’u thithur. Ndonëse jo gjithmonë është e nevojshme, mbajtja e një maske në vende të mbushura me njerëz është veçanërisht e dobishme për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar ose kushte të shumta mjekësore dhe mund të zvogëlojë sasinë e baktereve dhe viruseve që merrni frymë.
Ngrënia e ushqimit të freskët dhe të përgatitur siç duhet mund të zvogëlojë rrezikun e problemeve me stomakun ose helmimit nga ushqimi, këshillon Dr. Probst.

Vitamina D gjithashtu mund të përmirësojë imunitetin dhe ka prova që zinku mund të shkurtojë kohëzgjatjen e simptomave të ftohjes. Ruajtja e zakoneve të mira të gjumit, hidratimi i rregullt, një dietë e ekuilibruar dhe stërvitja e rregullt mund të forcojnë sistemin tuaj imunitar, i cili mund t’ju ndihmojë të luftoni infeksionet.