Mirlind Daku nuk ia doli të linte shenjë me fanellën e Kombëtares shqiptare në grumbullimin e fundit të kuqezinjve.

I aktivizuar si titullar në ndeshjen kundër Ukrainës, ai nuk ia doli që të linte shenjën e tij në këtë takim, teksa u zëvendësua në pushimin mes pjesëve nga trajneri Silvinjo.

Por duket se Daku kthehet vendimtar sapo shkel në Rusi.

Sot, sulmuesi ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë brenda 10 minutash në sfidën e kampionatit rus mes Rubin Kazan dhe Akron Toljati.

Goli i parë erdhi në minutën e 10 të ndeshjes, kur sulmuesi përfitoi nga një harkim në zonë për t’i paraprirë mbrojtësit dhe për të shënuar me një diagonale të shkëlqyer.

Vetëm 10 minuta më vonë, ai shënoi edhe golin e dytë në një aksion që e nisi vete dhe më pas përfitoi nga një grushtim jo i mirë i portierit për të çuar topin në rrjetë duke çarë me forcë mes mbrojtësve.

Kështu, Daku shkoi në kuotën e 8 golave në këtë edicion në kampionatin rus, duke qenë një nga pretendentët për “Këpucën e Artë” të kampionatit.