Gazetari Igli Çelmeta zbuloi sot në emisionin “Kjo Javë” nën moderimin e Nisida Tufës detaje nga masakra që tronditi Shkodrën mesditën e 30 tetorit, ku mbetën të vrarë 3 persona: Hamza Lici, Arlind Bushati, dhe Flutura Basha, kjo e fundit viktimë e pafajshme.
Nga atentati mafioz mbeti i plagosur bashkëshorti i Fluturës, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me krimin e përgjakshëm, gazetari foli për personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat.
Çelmeta tha se dyshohet se personi i tretë, i cili është në arrati të jetë Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit. Sakaq për këtë nuk ka ende konfirmim zyrtar nga policia e shtetit.
Gazetari tha se nuk dihet nëse personi i tretë nxori trupat jashtë nga makina ose jo dhe se nuk është e konfirmuar nëse ai është plagosur me armë zjarri, apo u bë me gjak kur nxori viktimat nga makina.
Gazetari tha gjithashtu se shënjestër e atentatit dyshohet se ishte Hamza Lici, pasi ai u qëllua 13 herë, ndërsa Arlind Bushati vetëm një herë.