Tomash Suçek, do të përjetojë një natë të veçantë këtë të shtunë në Arenën Kombëtare përballë Shqipërisë. Ajo do të jetë ndeshja numër 40 si kapiten i përfaqësueses së Çekisë, duke barazuar legjendën Pavel Nedved i cili mbante këtë rekord në radhët e ekipit. Suçek shpreson që ndeshja të jetë më shumë si ajo e një muaji më parë ndaj kuqezinjve, e fituar 2-0, sesa ajo e humbur 3-0 një vit më parë në Tiranë, për të cilën ia vë fajin atmosferës së zjarrtë në stadium, siç e shpjegoi disa herë gjatë konferencës së sotme për mediat.
Tomash, çfarë mësuat nga ndeshja e fundit në Shqipëri, të cilën Çekia e humbi 3-0 një vit më parë?
“E dimë që kemi bërë një lojë të keqe këtu, si në aspektin e lojës ashtu edhe në atë të rezultatit. Por ne e dimë gjithashtu që një muaj më parë bëmë një ndeshje të mirë me Shqipërinë, do të marrim shembull nga ajo kryesisht. Jo nga ndeshja e një viti më parë. Duam të përgatitemi kryesisht për atmosferën siç ishte një vit më parë, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë të jetë e mundur për të”.
Çfarë duhet marrë më shumë nga mënyra e lojës, që të mos përsëritet humbja e thellë e vitit të kaluar?
“Idealisht, duhet të marrim gjithçka pozitive nga ndeshja që luajtëm një muaj më parë. Këmbëngulja, lufta dhe performanca ekipore, duke punuar shumë për njëri-tjetrin. Më pas ranë në sy individët, por edhe një lojë e mirë drejt ofensivës. Besoj se falë kësaj do të kemi një ditë tjetër të suksesshme”.
Disa lojtarë, duke përfshirë edhe mbrojtësit, u tërhoqën nga skuadra. Çfarë ndërlikimesh mendoni se do të sjellë?
“Na vjen keq për çdo humbje. Por fatkeqësisht kjo është pjesë e futbollit. Edhe dëmtimet, apo të jesh jashtë formës. Tani ka lojtarë që e meritojnë në bazë të paraqitjeve të tyre. Besoj se kushdo që hyn në ndeshje do të japë një paraqitje në 100%. Pavarësisht nëse do të jetë dikush që ka qenë këtu për një kohë të gjatë apo i ri”.
Ju përmendët se atmosfera do të jetë sërish e stuhishme. Si mund të përgatiteni për të? Çfarë duhet të keni kujdes më shumë?
“Ne duam që patjetër të jemi 100% të përgatitur dhe të fokusuar. Dhe kjo është që nga nxemja. Duhet të fokusohemi te përgatitja jonë, te performanca jonë, që të mos na lërë asgjë që të na shpërqendroje që në momentin që mbërrijmë në stadium”.
Si ndiheni kur drejtoni kombëtaren për të dyzetën herë si kapiten?
“Kur thuhet kështu numri, e vlerësoj shumë. Është një numër i madh. po e shijoj. Më pëlqen ende të luaj për kombëtaren dhe jam shumë i lumtur për këtë. Besoj se do të drejtoj disa ndeshje të tjera ekipin si kapiten dhe shpresoj që lojtarët dhe tifozët të jenë të kënaqur me mënyrën se si e bëj këtë detyrë”.