Për vitin 2025, buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të jetë më i lartë, por drejtuesi Klevis Qose kërkon shtesë 1.49 miliardë lekë. Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Qose kërkoi para për përmirësimin e kushteve të sigurisë, përfshirë këtu edhe pajisjen me armë të punonjësve të policisë së burgjeve.
“Buxheti i Përgjithshëm për Sistemin e Burgjeve për vitin 2025 është në vlerën 9.6 miliardë lekë me një rritje prej 5.2% ose 457 milionë lekë më shumë se viti 2024. Sistemit të Burgjeve i nevojiten 1.19 miliardë lekë, për projektet si ai i armëve. 1 miliard lekë për përmirësimin e kushteve fizike të jetesës, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës në IEVP. 100 milion lekë për sisteme sigurie”, tha Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve
Vitin e ardhshëm janë planifikuar 700 milionë lekë investime, një pjesë e mirë e të cilëve për sistemet antidronë dhe ndërtimin e burgut të Kukësit, përveç pjesës më të madhe të buxhetit që shkon për paga.
Por, sa i kushtojnë në një ditë buxhetit të burgjeve një i dënuar dhe një i paraburgosur? “4417 lekë paraburgosur dhe 3600 lekë dënuar, 131 mijë euro në ditë” tha Klevis Qose.
Aktualisht në burgjet shqiptare janë 5070 të burgosur dhe paraburgosur, numër i cili është ulur për shkak të amnistisë në pranverë të këtij viti. Raporti i personave në qeli me punonjësit e burgjeve është pothuajse në nivelin 1 me 1 pasi janë pak më shumë se 4 mijë punonjës.
Sipas kreut të “Sigurisë” Nasip Naço numri i punonjësve është i lartë dhe duhet reformë, por nga ana e tij kreu i burgjeve tha se me këtë politikë penale që ndiqet nga organet e drejtësisë, deri në fund të 2025-ës pritet që numri të shkoj në mbi 6 mijë.