Katër fitore, një barazim, shtatë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar e dërgojnë Interin në krye të Champions League në kuotën e 13 pikëve. Trajneri i Interit, Simone Inzaghi foli për “Sky” pas fitores 1-0 kundër Leipzig. “E dinim rëndësinë e ndeshjes. Luanim kundër një skuadre me vlera, e cila deri të dielën kishte mbrojtjen më të mirë të Bundesligës. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, ishim gjithmonë të balancuar, edhe pse kundër Leipzig nuk është e lehtë. Më vjen keq që nuk e shënuam golin e dytë, por skuadra vuajti relativisht pak”.
Mendimi juaj i parë kur shihni renditjen?
Patjetër jemi të kënaqur, por për të arritur në tetë më të mirët duhet edhe një hap tjetër. Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer; 4 fitore radhazi dhe 5 ndeshje pa pësuar gol. Kisha frikë për ndeshjen e sotme, por skuadra është e pjekur dhe e dinte që nuk duhej të ndikohej nga 0 pikët e Leipzig.
A jeni të pjekur për t’u rikthyer në finale?
Ky është objektivi i të gjitha skuadrave, aq më tepër për mua që drejtoj Interin. Ka shumë konkurrencë dhe nuk është e lehtë të luash çdo dy ditë e gjysmë. Kam fatin të kem djem që janë mësuar me këtë, ka një gatishmëri të madhe nga të gjithë.
A mund të bënit më mirë në 30 metrat e fundit?
Jam dakord. Ishte rasti i Dumfries në fillim të pjesës së dytë, që ndoshta do të kishte ndryshuar ndeshjen, edhe goli i Mkhitaryan më dukej i rregullt. Kundërshtari ishte me vlera, Openda është i fortë, për të mos përmendur Sesko dhe Nusa. Sonte pamë një Inter që ishte në lojë, ashtu siç më pëlqen mua. E dinim si ta zgjidhnim një ndeshje aspak të thjeshtë.