Rusia bëri ndryshime në doktrinën e saj bërthamore në shtator 2024, por presidenti Vladimir Putin, rastësisht ose jo, e nënshkroi atë pikërisht në ditën që presidenti amerikan Joe Biden morri një vendim: të lejonte Kievin të përdorte raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të synuar objektiva ushtarakë brenda territorit rus.
Në Moskë, i “justifikuan” ndryshimet me vendimin amerikan, ndërsa presidenti Biden e justifikoi me faktin se Koreja e Veriut, me ushtrinë e saj ndërhyri në luftën në Ukrainë në anën e Rusisë.

Me këto zhvillime, duket se lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, ndoshta në një lloj kulmi. Domethënë, është e qartë se të gjithë tashmë janë të rraskapitur nga lufta, e cila po hyn në vitin e tretë, dhe konturet e përfundimit të saj nuk duken në horizontin e mjegullt. Një gjë është e sigurt, si sulmuesi rus ashtu edhe mbrojtja ukrainase tashmë janë të lodhur. Ndaj, të dyja palët deklarojnë se duan t’i japin fund luftës në vitin 2025. Domethënë, Ukraina po e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë luftën dhe Rusia ka frikë nga parashikimet gjithnjë e më të errëta ekonomike për vitin 2025, të cilat as ekonomistët e regjimit dhe mediat nuk mund t’i fshehin më. Së bashku, ata kanë frikë nga reagimet e paparashikuara të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili “kërcënon” me llojin e tij të planit të paqes. Prandaj, të dyja palët duan të marrin pozicionin më të mirë të mundshëm. Rusët po ndërmarrin sulmet më shkatërruese ndaj infrastrukturës energjetike dhe termike të Ukrainës deri më tani, si dhe po kërcënojnë gjithashtu me prishjen e digave në Dnieper, duke thënë paralajmëruar njëherësh se objektivat kryesore të sulmeve me raketa do të jenë Kievi dhe Odessa.

Ambasada amerikane mbylli dyert të mërkurën më 20 nëntor për shkak të paralajmërimit të sulmeve të reja. Dimri do të jetë i ftohtë dhe i vështirë, me Putinin që ka vendosur që do të jetë veçanërisht i vështirë për ukrainasit (pa energji elektrike dhe ngrohje), dhe gjithashtu dëshiron të fillojë negociatat e mundshme mbi planin e paqes, pasi Trump të inagurohet, me qëlliimin për t’i siguruar vetes një pozicion sa më të favorshëm e Kievit një pozicion shumë të pafavorshëm, gati kapitullues.

Në Moskë, llogaritet se Trump mund të anulojë ndihmën ushtarake dhe financiare për Kievin dhe ta zhvendosë barrën në një Evropë tashmë jo shumë të bashkuar, e cila gjithashtu ka probleme ekonomike. Por një nga pikat kryesore të Putinit në këtë “amalgamë të luftës ukrainase” është përhapja e frikës për një luftë të mundshme bërthamore, kryesisht drejt Evropës. Pa dyshim, shumë në Perëndim besojnë se ky është bllofi i Putinit dhe se ai vetë është i vetëdijshëm se të hapësh një luftë bërthamore, kjo do ta çonte të gjithë botën, përfshirë Rusinë, në shkatërrim total.

Përveç kësaj, disa media ruse pro-regjimit (RIA Novosti, Vzgljad) besojnë se do t’i sjellë ende një avantazh të rëndësishëm Rusisë pasi të ulet në tryezën e bisedimeve nëse “Ukraina nuk e pranon humbjen e parë”. Prandaj, ajo që sjell “rishikimi” i programit bërthamor rus është parë me shumë vëmendje. Profesori Maksim Starçak, një ekspert në politikën ndërkombëtare dhe të mbrojtjes, qetëson pasionet në një intervistë për BBC dhe thotë se Putin “sqaroi vetëm kushtet për përdorimin e armëve bërthamore sepse arsyet e përdorimit të tyre nuk kanë ndryshuar”. Por një ekspert i armëve bërthamore Pavel Podvig, në një intervistë për portalin e pavarur rus Meduza në lidhje me doktrinën e re, thotë: “Ka gjithnjë e më pak hapa në rrugën drejt luftës bërthamore”.

Le të shohim se cilat janë ndryshimet kryesore në doktrinën bërthamore ruse. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me arsyen e përdorimit të armëve bërthamore. Tani ajo thotë se “Rusia i jep vetes të drejtën për të përdorur armë bërthamore nëse ekziston një kërcënim kritik për sovranitetin ose integritetin e saj territorial”, ndërsa më parë thuhej se armët bërthamore përdoren nëse “kërcënohet mbijetesa e shtetit”. Një pikë tjetër e rëndësishme është se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse sulmohet vetëm nga “armë konvencionale”, madje edhe nga një shtet që nuk posedon armë bërthamore, “por e bën këtë me mbështetjen e një shteti bërthamor”. Një vend pa armë bërthamore gjithashtu mund të sulmohet, nëse i ka lënë sulmuesit tokën, qiellin, detin dhe territorin e vet.

Ky ndryshim lidhet pikërisht me Ukrainën, e cila nuk është fuqi bërthamore (kujtoni, pas rënies së BRSS, ajo hoqi dorë nga potenciali i saj bërthamor në favor të Rusisë, në këmbim të “garancive ruse të sigurisë” që, siç duket, Rusia i ka shkelur). Në lidhje me këtë, ka pyetje thelbësore – sa do t’i përmbahet Putinit doktrinës kur bëhet fjalë për zonat e aneksuara të Ukrainës – rajonet e Krimesë, Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, ku lufta tashmë po zhvillohet? Prandaj, Podvig thotë se do të ishte e vështirë për Putinin të justifikonte përdorimin e armëve bërthamore për shkak të “rrezikut kritik për sovranitetin rus”, dhe disa analistë të tjerë thonë se kjo do të thotë se rusët janë të gatshëm të synojnë territorin e tyre me armë bërthamore.

Një gjë tjetër është rajoni i Kurskut. Domethënë, ushtria ukrainase pushtoi një pjesë të atij rajoni kufitar rus dhe ai nen i doktrinës mund të aktivizohej. Një ndryshim interesant është se përmendet edhe Bjellorusia, domethënë një sulm ndaj saj mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore ruse. Doktrina thotë saktë se armët bërthamore mund të përdoren për t’iu përgjigjur edhe nëse “sulmohen formacionet ushtarake ruse dhe objektet e Federatës Ruse të vendosura jashtë territorit të saj”. Dhe kjo është pikërisht Bjellorusia, ku Rusia më në fund transferoi një pjesë të forcave të saj bërthamore.