Përpos përshpejtimit të moshës kur do të barazohen të dyja gjinitë për daljet në pension dhe rritjes së përfitimeve për pensionet e ulëta, janë një sërë treguesish të tjerë që po shqyrtohen nga grupi i punës për të dalë me një reformë të re në 2025-ën.
Ato lidhen më konkretisht me vjetërsinë minimale për të përfituar pension pleqërie apo pension social, nivelin e kontributit të dhënë (qoftë si punëmarrës apo punëdhënës) si dhe më kryesorja ndryshimi i gjithë formulës së përfitimit. Sipas zëvendësministres së Ekonomisë, Olta Manjani, e cila kryeson grupin e punës, rishikimi i skemës konsiston në zhvillimin e parimit të pamjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta për pensione nga skema e detyrueshme si dhe për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë siç janë pensionet e invaliditetit apo ato familjare.
Aktualisht, shumica dërrmuese e pensioneve të reja që lidhen janë të pjesshme, pasi qytetarët nuk kanë plotësuar vitet e plota të përfitimit të pensionit, 38 vjet. Rritja e numrit të popullatës në moshë pensioni në raport me numrin e kontribuuesve në skemë kanë bërë që qeveria të rishikojë skemën e sigurimeve duke hartuar një reformë ku pensioni të lidhet direkt me masën e kontributeve.
Në intervistat për media, zv.ministrja Manjani thotë se në asnjë rast nuk do të anashkalohen vitet e kontribuesve, duke bërë që kush ka paguar më shumë do të marrë edhe një pension më të lartë.
“Po rishikojmë mundësinë për kryerjen e një reforme me bazë më të gjerë duke mbajtur parasysh parimet e skemës së pensioneve dhe më kryesorja kontributet. Kush ka kontribuar më shumë do vijojë të marrë më shumë. Parashikojmë rritje të pensioneve me bazë të gjerë, mund të jetë në formën e një bonusi, subvencioni, indeksimeve të herëpashershme”, deklaron Manjani.
Si udhëheqëse e grupit që po harton reformën, ajo thotë se skema e re, që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore, synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm. “Ajo që po diskutojmë është që të kemi një rritje të pension eve, për të ngushtuar hendekun midis pensioneve që janë më të ulta dhe atyre më të larta. Do të përfitojnë të gjithë pensionistët nga rritja”. Në tetor është bërë vetëm indeksim i pensioneve, ndërsa skema e re do të nisë zbatimin duke nisur nga viti 2025. Të dhënat tregojnë se ndërmjet 2000 deri në 2023, ka pasur një zgjerim të periudhës së gëzimit të pensionit, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë.
Sipas të dhënave të fundit të Instat-it, jetëgjatësia mesatare në Shqipëri më 2022 ishte rreth 77 vjet për burrat dhe rreth 81 për gratë. Ndërsa koha e gëzimit të pensionit arriti në 19.4 vite për burrat dhe 27 vite për gratë. Zgjatja e viteve të gëzimit të pensionit shton presion për më shumë shpenzime në skemën e pensioneve, e cila është edhe nën presionin e rritjes së numrit të pensionistëve.