Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në seancën dëgjimore të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” në përvjetorin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve”.
Që në hyrje të fjalës së saj, ministrja Koçiu u ndal te ngjarja tragjike ndodhur dy ditë më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku humbi jetën një 14-vjeçar i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij.

Koçiu deklaroi se “MSHMS mbështet fort nismën e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për një Plan Veprimi të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla. Vetëm bashkëveprimi i të gjithëve mund të sjellë rezultate të dukshme në drejtim të parandalimit të dhunës, bullizmit, diskriminimit apo stigmatizimit në shkollat tona. Përgjegjësia ndaj fëmijëve është detyrim për të gjithë aktorët e shoqërisë, veçanërisht për trinomit mësues, nxënës dhe prindër”.
“Orientimi, bashkëpunimi dhe unifikimi i politikave për një ambient të sigurt në shkolla do të prodhojë më shumë siguri. Ndaj, të bëhemi të gjithë bashkë për një qëllim madhor: mbrojtjen dhe edukimin e brezit të ri. Duhet të jemi së bashku të gjithë aktorët, institucionet shtetërore, pushteti vendor, komunitetet, partnerët, shoqëria civile, media, për të luftuar fenomene të tilla dhe për të adresuar problematika kaq serioze. Ndaj t’i bashkohemi këtij plan-veprimi, ta mbështesin dhe përmirësojnë atë me propozime produktive, nëse kanë vullnetin pozitiv për të kontribuar për një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj, larg dhunës”, apeloi ministrja.

Ajo tha se nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës janë evidentuar gjithsej 51 rekomandime, nga të cilat më prioritaret kanë të bëjnë me mosdiskriminimin, dhunën ndaj fëmijëve, abuzimin dhe shfrytëzimin seksual, sigurimet shoqërore, standardi i jetesës dhe arsimimi dhe për të cilat është hartuar një plan i detajuar veprimi dhe masash me aktorët përgjegjës për zbatimin e tyre.
“Ndërsa puna vazhdon për adresimin e këtyre rekomandimeve një pjesë e tyre tashmë janë zbatuar, theksoj faktin që edhe në buxhetin e vitit 2025 do kemi më shumë mundësi për të adresuar problematika dhe për të mbështetur familjet në nevojë apo fëmijët që janë jashtë kujdesit prindëror. Rishikimi i skemave tona sociale ka sjellë trefishim i mbështetjes financiare për më shumë se 1 mijë fëmijë pa kujdes prindëror, trefishim i mbështetjes financiare për 10 mijë familje që kujdesen për tre ose më shumë fëmijë, dyfishim i mbështetjes financiare për rreth 6 mijë familje me kryefamiljare femra”, theksoi Koçiu.

Ministrja nënvizoi se “9200 nëna të papuna me tre ose më shumë fëmijë, mbështeten nga programi për subvencionimin e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, 34 mijë fëmijë të grupeve të moshave 6-14 vjeç mbështeten me subvencione për të ndjekur arsimin e detyrueshëm, 2227 bonuse bebesh të dhëna vetëm gjatë këtij viti si dhe fuqizimi i familjes përmes riintegrimit social të anëtareve përmes programeve sociale, formimit profesional ku kanë përfituar rreth 2409 familje me fëmijë”.

Sa i përket mbështetjes dhe ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “kemi filluar me trajtimin dhe diagnostikimin e hershëm të aftësisë së kufizuar sidomos në grupmosha 0-2 vjeç aty ku është edhe fokusi më i madh me qëllim evidentim sa më të shpejtë dhe trajtimin akoma më mirë pasi e dimë që sa më shpejt të kapen problematika lidhur me specifika të veçantë të fëmijëve tanë, aq më shpejt mundet edhe t’i trajtojmë ato”.

Gjithashtu, Koçiu falënderoi UNICEF për bashkëpunimin në hartimin e një programi të ri “Garancia e fëmijëve” i cili mbështetet edhe nga Komisioni Evropian për të adresuar të gjitha specifikat lidhur me fëmijët.
“Aktualisht kemi 10 mijë familje me fëmijë me aftësi ndryshe që përfitojnë pagesa cash, por përpos mbështetjes financiare, padiskutim qëllimi primar mbetet edhe ofrimi i shërbimeve rehabilituese riintegruese. Fondi Social ka mbështetur deri më sot krijimin e 8 qendrave të dedikuara për fëmijët me aftësi ndryshe në të gjithë vendi duke pas parasysh se që nga fillimi i aplikimit të këtij instrumenti financiar kemi 73 shërbime të reja me 35 mijë përfitues, shumë prej tyre të mitur”, ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.