Nga Liridon Mulaj
Panairi 27-të i librit është ngjarja kryesore e librit në vend. Kjo për shumë arsye. Se aty bëhen bashkë botues të mëdhenj e të vegjël, shkrimtarë të mirë e mediokër, lexues të zellshëm të cilët nxitojnë për te stenda e piketuar por dhe njerëz që ecin somnambul nëpër korridoret e panairit duke krijuar një trafik të tmerrshëm aq sa mendon se të arrish deri tek objektivi yt është thuajse e pamundur. Pikërisht prej këtyre të fundit, kjo sallë e madhe mbushur me objekte shpirtërore dhe intelektuale, mund të quhet edhe pazar i librit. Ne jemi mësuar me këtë kaos deri diku të bukur.
Në vizitat e mija të shpeshta këtë vit, shikoj njerëz që ecin e ndalojnë, mandej ecin sërish për tu ndaluar diku, dhe thuajse të gjithë ndalojnë në një pikë. Aty si duket e kanë gjetur objektivin, qëllimin e tyre. Një nga këto pika “të vlimit” , më e vizituara, ku njerëzit dynden mbetet stenda e Pegi-t dhe arsyeja është, Ben Blushi. Libri i tij më i ri “Parajsa Artificiale” po bën namin ( ashtu siç ka bërë Beni në çdo panair xhanem). Domosdo, kush nuk e do parajsën, qoftë dhe si fiction. Kopertina ngjyrë vishnje me një grafikë që simbolizon të ardhmen gjendet ngado. Në duar, në qese të bardha, në kafene, në instagram, në televizion, në podcast.
I afrohem dhe unë stendës, e marr librin pa firmë dhe zhdukem në turmë. Sapo arrij në shtëpi nxitoj ta lexoj ( fiks sikur aty gjendet me të vertetë parajsa) . Libri nis me një narrativë të shkurtër ku sqaron kohën në të cilën janë vendosur ngjarjet. Është viti 2030 dhe mashtruesi gjenial Simon Shuter ( personazhi tashmë ikonik i Ben Blushit) gjendet në krevat me një vajzë sa gjysma e moshë së tij. Nxitur nga e dashura , një e re në kufinjtë mes naivitetit dhe budallallëkut ( se di pse dhe këtu mendoj se Beni ironizon koketat e televizoneve të sotme) ai vendos të hapë një luftë mes Shqipërisë dhe një shteti tjetër, vetëm e vetëm për t’ia përmbushur egon dhe dëshirën dashnores së tij ( përcaktim vulgar por në libër ajo vetë e pohon se ka disa të dashur paralelisht). Sepse sipas Simon Shuterit, gjithçka ia vlen për lumturinë e një gruaje. Kandidati i parë për armik lufte propozohet Greqia. Vajza nuk është e kënaqur. Mandej vjen Maqedonia, Italia duke përfunduar tek Irani ( se di pse autori është i fiksuar me lindjen e mesme ) shtet i cili piketohet nga Simon Shuteri si armiku potencial i Shqipërisë. Sepse ku është Irani është Amerika, e për pasojë e gjithë bota. Këtu nis ngjarja. Komploti është gati, edhe aktorët po ashtu. Gjithçka do të nisë nga Tirana dhe do të përfshijë edhe Amerikën. Karremi janë Muxhahedinët dhe tironsit me orgjinë perse të ardhur në Tiranë 400 vite më parë. Sepse duhet nisur prej diku! Dhe këtu fillon “spektakli” i Simon Shuterit me fantazira dhe plane djallëzore të denja për filmat spiunazh.
Libri është i gjithi dialog, një farë dialogu i shpejtë që zhvillohet nga mëngjesi në mbrëmje në një ambient të varfër të një dhome të vogel ku jashtë saj herë ka re e herë pak diell. Zoti, profetët dhe besimet fetare janë lënda e parë e këtij dialogu nëpërmjet të cilit Simon Shuteri kërkon të bindë vajzën se i vetmi Zot fuqiplotë në këtë botë është njeriu, ai që shpiku rroten, makinat, lavatriçet, avionët dhe inteligjencën artificiale e cila ( gjithmonë sipas Shuterit) do të na shpjerë drejt utopisë, drejt një parajse tokësore ku njeriu do të jetë i lumtur, duke mos punuar, duke zhdukur paranë e për rrjedhojë edhe lakminë. I gjithë dialogu është një lojë fjalësh e shpejtë ku shkrimtari ironizon, degradon, intimidon dhe sulmon… kë tjetër veç Zotit dhe besimtarëve. I gjithë ky diskurs ndërtohet me sarkazëm dhe humor, çka më besoni përpara se t’ju dëshpërojë, do ju bëjë të qeshni fort ( unë kam qeshur më shumë se me çdo libër tjetër). Mandej se sa seriozisht i merrni tezat e Simon Shuterit kjo varet nga ju lexues. Gjithsesi fundi i librit do t’ju lehtësojë, dhe do ju bëjë ta shihni këtë libër me një sy tjetër.
“Parajsa artificale ” në lupen time është fund e krye një libër argëtues i ndërtuar mbi një personazh spekulant si Simon Shuter i cili ia del gjithmonë të trazojë, jo vetëm në fiction por dhe në jetën tonë reale. Tashmë e kemi te qartë se s’ka libër të Benit që nuk provokon, madje besoj se nëpermjet këtij libri ka provokuar fort dhe në mënyrë direkte.
*Unë do thosha që kur katolikët vrasin, myslimanët qajnë, ndërsa ortodoksët qeshin ( fq 16 )
Ky definicion i personazhit pason të tjera dialogje të ndërtuar me humor dhe sarkazëm por gjithmonë ( sipas meje) duke i qëndruar thënies së Churchillit – S’ka gjë më serioze se shakaja!
Edhe pse libri ndahet në dy pjesë : Ferri dhe Parajsa ku ferri zë 89 faqe dhe parajsa 41, titulli anon nga Parajsa. Edhe këtu Ben Blushi provokon dhe ndjell lexuesin drejt librit të tij, të cilët si në një pelegrinazh ndalojnë para librit me kopertinë ngjyrë vishnje, të lumtur dhe me emocione sikur kanë gjetur më në fund parajsën. Parajsë të cilën Ben Blushi ky ” Homo provocator verbis” serioz, stoik dhe i vërenjtur ua shërben me dorën e tij. Madje edhe me firmë!