Sali Berisha ka njoftuar protestën e radhës së opozitës. Në një konferencë me gazetarët ka njoftuar protestën e radhës të opozitës që do të mbahet më 26 nëntor. Edhe pse njoftoi datën, kryedemokrati nuk ka ndarë shumë të dhëna me gazetarët në konferencë, përveç faktit se tubimi kësaj radhë do të mbahet në Tiranë. Por nuk harroi që të ftonte qytetarët që të bëheshin pjesë e tubimit.
“Në datë 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët, në datën 26 marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë. Mosbindja civile është rrugë e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë,”- tha ai.
Kjo është protesta e katërt e opozitës në kuadër të aksionit dhe “mosbindjes civile” që kanë nisur kundër qeverisë. Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestadhe mosbindje civile. Aksioni nisi nga Kuvendi me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren.
Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Tubimi i dytë u mbajt më 26 tetor pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Për 3 orë, opozita bllokoi disa nga akset kryesore të vendit. I treti u bë të martën, jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa brenda votohej për buxhetin e vitit 2025.