Opozita shqiptare do të mbajë sot protestën e radhës, në vazhdën e disa protestive që po mban, ku një ndër pretendimet e tyre është se sistemi i drejtësisë po godet vetëm opozitën.

Në një intervistë ekskluzive për TemA, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi se, “Nuk jemi në kushtet që goditjet [nga drejtësia] janë vetëm në krahun e opozitës edhe t’i lindë e drejta opozitës të thotë që kemi të bëjmë me instrumentalizim të drejtësisë.”

“Nuk është mirë të llogarisim numrat kur vjen fjala te drejtësia, sepse drejtësia nuk është politike, nuk supozohet të jetë politike dhe të bëjë balancë. Kush ka hesape me drejtësinë, pavarësisht përkatësisë politike, duhet të ndjekë rrugën e vet ligjore dhe të presë vendimmarrjen e organeve të drejtësisë. Por, meqenësë po spekulohet shumë, atëherë po sjell në vëmendje që nuk ka ‘goditje’ të drejtësisë vetëm në njërin krah. Nuk jemi në kushtet ku goditjet janë vetëm në radhët e opozitës, edhe t’i lindë e drejta opozitës të thotë se kemi të bëjmë me një instrumentalizim të drejtësisë,” u shpreh ndër të tjera Peleshi.

Ai shtoi gjithashtu se sipas statistikave, nuk mund të arrihet në konkluzionin që kemi të bëjmë me një instrument, i cili godet vetëm në njërin krah dhe jo në krahun tjetër, ndërsa solli në vëmendje faktin se është edhe një numër i konsiderueshëm ish-zyrtarësh socialistë që gjenden nën hetim, ose janë të dënuar nga drejtësia.

“Një nga produktet e pritshme dhe që ka ndodhur, në besimin tonë, të reformës në drejtësi, është krijimi i institucioneve të drejtësisë, që janë të pavarura nga politika.”