Të shtunën, datë 23 Nëntor, ora 18:00 e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në San Siro, Milano, kjo sepse Milan edhe Juventus, dy gjigandët e futbollit italian dhe atij botëror do të përballen me njëra tjetrën.

Një sfidë speciale, që gjithmonë sjell emocione e të papritura, pavarësisht se duhet thënë se “Zonja e Vjetër” vjen në prag të kësaj sfide e plagosur nga mungesat. E fundit ajo e sulmuesit serb Dusan Vlahoviç, i cili do të mungojë ndaj Milanit dhe mesjavën e ardhshme në Champions ndaj Aston Villës. Thiago Motta do t’i duhet të improvizojë repartin ofensiv, teksa me shumë gjasa do t’i besohet të riut belg Mbangula, të mbajë përgjegjësinë e repartin ofensiv për bardhezinjtë.

Ndërkohë tek Milan, grupi është i plotë, por ajo që shqetëson Fonsekën është renditja. Vendi i 7, 18 pikë me një ndeshje më pak, është një distancë që frikëson drejtuesit në Milanello. Kjo sepse një tjetër hap fals ndaj një riveli direkt si Juventus, do të largonte kuqezinjtë jo vetëm nga “Zonja e Vjetër” por edhe nga skuadrat kryesuese në Serie A.

Interesant është fakti se ky duel shikohet edhe si një përplasje mes lojtarëve amerikanë. Pulisiç e Musah për kuqezinjtë dhe Weah e McKennie për Juventusit, të 4 miq shumë të mirë, që zhvilluan së bashku një paraqitje shumë të mirë me fanellën e USA ndaj Xhamajkës, të shtunën për 90 minuta do të jenë rival ndaj njeriu tjetrit.

Milan-Juve nuk do të jetë asnjëherë një sfidë si të tjera. Në këtë 90 minutësh mesiguri nuk do të ketë shumë për të fituar, por sigurisht do të ketë shumë për të humbur, për skuadrën që do të dal e mundur nga kjo supersfidë.