Ekipet e gazetarëve të Tv Klan dhe A2CNN u lejuan që të kalojnë kufirin e Kapshticës pas 3 orësh pritje në doganën greke. Nja kalim që për gazetaren Elja Zotka ngjason me një çlirim.

“Më në fund u çliruam nga autoritetet e pikës kufitare greke në pikën kufitare të Kapshticës. Duhet thënë tamam çlirim. Na mbajtën peng më shumë se 3 orë. Duhet thënë që kolegët tanë që mundësojnë lidhjet live në televizionin Klan kanë prej orës 10:30 sepse ata kanë dhe pajisjet e transmetimit”, tha Zotka.

Gazetarët dhe ekipet e xhirimeve u bllokuan nga pala greke me arsyetimin se u mungonte një leje për të transmetuar dhe xhiruar në territorin grek.

“Sipas tyre duhej patjetër një leje e posaçme nga autoritetet e vendit tonë. Nuk e kuptoj, thashë është e paprecedentë”, raportoi gazetarja Elja Zotka.

Situata e pazakontë u raportua nga gazetarja Zotka, e cila tha më herët se autoritetet greke u morën gazetarëve dhe ekipeve të xhirimit pasaportat dhe nuk i lejuan të kalonin.

Mirëpo pavarësisht komunikimeve dhe notës verbale të dërguar sipas kërkesës greke, emaili mes autoriteteve greke për lejimin e gazetarëve u desh mbi 4 orë për t’u nisur. Gazetarja Zotka raportoi se pati probleme edhe me policët kufitarë grekë të cilët kërkuan që të mos xhironte me anë të telefonit.

“Nuk duhet të ankohemi për administratën tonë që është burokratike, që është e ngadaltë sepse palës greke edhe pse është ditë pushimi iu deshën gati 4 orë sepse ne e kishim dërguar më përpara se të mbërrinim në pikën kufitare kërkesën për leje pasi u informuam nga kolegët tanë të transmetimeve direkte. Pas 4 orësh edhe pse është ditë pushimi nuk është normale që një email aprovues të kërkojë kaq shumë kohë për tu dërguar. E kuptojmë që procedurat janë të tilla nuk mund të bëhen me telefon, por ja edhe emaili nuk besoj se do donte kaq shumë kohë. Në fakt u duk si e qëllimshme dhe të gjitha gjasat të bëjnë të mendosh se ishte e qëllimshme pengesa. Më pas patëm probleme pse transmetuam përmes telefonave tanë dhe informuam audiencën e televizioneve tona Tv Klan dhe A2CNN përmes lidhjeve tona live. Na erdhën punonjësit e policisë kufitare dhe na kërkuan të mos i përdornim, të mos flisnim, të mos xhironim”, tha Zotka.

Pas lejimit të gazetarëve, duket se pasojat do t’i vuajnë shqiptarët që tentojnë të kalojnë drejt Greqisë, pasi pala greke ka nisur zvarritjen e procedurës së kontrollit të pasaportave.

“Më pas pasojat po i vuajnë tani bashkëqytetarët tanë, por edhe qytetarë grekë që kanë qenë në territorin tonë të cilëve po ju zvarritet procedura e kontrollit të pasaportave. Menjëherë pas komunikimeve tona live filloi të bëhej një ngadalësim i procesit të kontrollit dhe qytetarët filluan të ankoheshin, mendonin se ishim ne pengesa, ndërkohë që ne jemi në të gjithë të drejtën tonë, të vijmë, të kalojmë në pikën kufitare, të raportojmë për aktivitete të ndryshme. E njëjta gjë ndodh edhe me kolegët tanë. Vijnë, nuk iu kërkohet kaq shumë dokumente. Nuk kalojnë nëpër procedura të tilla që na u desh të kalonim ne sot të prisnim një aprovim të pakuptimtë”, tha Zotka.

Ndërkohë gazetarja raporton se gjatë ditës sot ka pasur gjoba dhe kontrolle të panumërta kryesisht për makinat me targa shqiptare në autostradën për në Selanik.