Biseda u fokusua në sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Presidenti i Republikës siguroi Kamberi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës mbeten parësore për ne deri në zgjidhjen e tyre, – u shpreh Presidenti Begaj gjatë bisedës me deputetin Kamberi.

“Hapja e afërme e Konsullatës së Përgjithshme në Bujanoc është një hap i rëndësishëm”, – vlerësoi Presidenti i Republikës.

“Nuk duhet që askush në shekullin XXI të dënohet për përdorim të simboleve kombëtare, për mbajtjen e flamurit.

Në takimet e mia me ndërkombëtarët kam theksuar domosdoshmërinë e ndalimit të pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të të rinjve që mbyllin studimet në Shqipëri e Kosovë, si një e drejtë që garantohet edhe nga Procesi i Berlinit”, – theksoi Presidenti Bajram Begaj.

“Në fund, dua t’ju përgëzoj për të gjithë aktivitetin tuaj politik, për të gjithë avokaturën në Parlamentin e Serbisë për të mbrojtur çështjen, gjakun, dinjitetin shqiptar”, – vlerësoi Presidenti i Republikës.