Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike ka paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 26.11.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i ka kthyer përgjigje subjektit politik se organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.
Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, në zbatim të germës a, të nenit 24 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet” dhe nenit 293 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.