Policia e Elbasanit doli sot me një njoftim zyrtar në lidhje me aksionin e zhvilluar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ku u arrestuan disa pedagogë. Sipas policisë, deri më tani janë arrestuar 6 pedagogë dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Policia deri më tani ka arrestuar: Monika Hodaj, 49 vjeçe, Beatriçe Gani, 58 vjeçe, Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Ornela Bilali, 50 vjeçe, Zyhra Gripshi, 37 vjeçe dhe Gazmend Hodaj, 59 vjeç dhe ka shpallur në kërkim Edlira Gugu.
Po ashtu, është arrestuar edhe Gazmend Hodaj, person që ka një lokal tek universiteti dhe që ka bërë rolin e sekserit mes studentëve dhe pedagogëve.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nga gazetarët e emisionit investigativ, për një rast të shpërdorimit të detyrës duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe me qëllim për të përfituar shuma parash, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Teza”.
Në kuadër të operacionit policor nën drejtimin e Prokurorisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. H., 49 vjeçe, B. G., 58 vjeçe, F. T., 56 vjeçe, A. Sh., 61 vjeç, O. B., 50 vjeçe, Z. G., 37 vjeçe dhe G. H., 59 vjeç.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasen E. G., 51 vjeçe, pedagoge.
Këta shtetas me detyrë pedagogë kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi G. H..
Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton policia.
Urdhrat e arrestit u lëshuan dje, vetëm pak orë pasi pedagogët u shoqëruan në polici për t’u marrë në pyetje. Pedagogët jepnin mësim tek Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan. Ata akuzohen për korrupsion pasiv dhe janë pezulluar nga detyra.