Analisti Arben Meçe foli për letrat që Ilir Meta shkruan nga qelia. Sipas tij me këto letra të cilat bëhen publike nuk përcillen kode e as kërcënime pasi, këto ndodhin me shkrime apo informacione të cilat nuk bëhen publike. Analisti shprehet se këto letra janë një strategji për të qëndruar aktiv në media.

“Ilir Meta është një person i cili në 30 vite ka pasur ndikim të madh në politiken shqiptare. Në momentin kur një politikan vdes në raport me komunikimin publik pra nuk janë pjesë e medias automatikisht ju vjen edhe vdekja e tyre në politikë.
Kështu që të gjitha figurat politike ndërtojnë strategji për të qenë prezent në media. Siç është strategjia e Sali Berishës i cili është prezent në media çdo ditë. Në këtë kuadër që sapo shpjegova duhen parë edhe lëvizjet e Ilir Metës, nëse ai nuk qëndron aktiv në media ai vdes politikisht.

Mund të asgjësohet nga perceptimi qytetarë dhe nuk do të ekzistonte më as në analizat tona mediatike. Ilir Meta ngacmon opinionin publik me ato letra. E vetmja strategji që i mbetet Ilir Metës është ngacmimi i publikut nëpërmjet letrave apo avokatit të tij nuk ka instrument tjetër. Nuk ka rëndësi se çfarë shkruan në ato letra rëndësi ka prezenca e tij mediatike. Politika ka një filozofi që është: Nëse do të jesh pjesë e teatrit politik duhet me patjetër pjesë e medias qoftë edhe me të shara apo çmenduri.

Nuk mendoj që kërcënimet vijnë nga këto letra, Ilir Meta ka kontakt me avokatin e tij dhe ka letra shumë më të rrezikshme që futen nën derë. Nëse flasim për kërcënime dhe kode përdoren mekanizma të tjerë jo ato publik. Partinë e Lirisë ne duhet ta shikojmë si një pronë të familjes Meta.

Që do të thotë nuk ka rëndësi kush e zotëron Ilir Meta apo Monika Kryemadhi, por administrimi i një prone është shumë më i kushtueshëm dhe i vështirë se ndërtimi i saj. Nga goditja që i dha SPAK-u, ajo parti nuk ka më burime financiare për ta mbajtur”, – u shpreh analisti Arben Meçe në Dritare Tv.