Rexhep Tajip Erdogan nuk pajtohet me vendimin e SHBA-së për t`i lejuar Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi brenda territorit të Rusisë.
Për kreun e shtetit turk, një lëvizje e tillë vetëm s ai hedh benzinë zjarrit e do ta ndezë konfliktin akoma edhe më shumë. Kievi nuk vonoi por menjëherë të martën i përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për të kryer sulme në tokën ruse, duke e shfrytëzuar lejen që administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, ia dha në ditën e 1.000-të të luftës. Në të njëjtën ditë, shefi i Kremlinit Vladimir Putin e ndryshoi doktrinën bërthamore të Rusisë, duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Moska si përgjigje ndaj sulmeve nga një armik që përdor armë konvencionale.

Hapi i Bidenit do të interpretohej si lëvizje për ta ndezur luftën dhe për t’u siguruar që ajo nuk mbaron kurrë, por vetëm përhapet. Ky hap, jo vetëm që do ta përshkallëzojë konfliktin, por do të nxisë një përgjigje edhe më të fuqishme nga Rusia.
Turqia, anëtare e NATO-s, është shprehur haptazi se mbështet integritetin territorial të Ukrainës, dhe e ka dënuar pushtimin rus. Ankaraja madje i ka dhënë Kievit edhe mbështetje ushtarake. Megjithatë, nga ana tjetër Turqia, fqinje e Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Zi, i kundërshton sanksionet e Perëndimit kundër Moskës, me të cilën vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta në fushat e turizmit, energjisë dhe mbrojtjes.