Një raport i publikuar nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar (GI-TOC) nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme të sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri, veçanërisht lidhur me integritetin dhe autonominë e institucioneve të policisë dhe prokurorisë. Në raport theksohet fakti se Policia e Shtetit është një institucion që ka nevojë për më shumë pavarësi dhe kontroll. Raporti paraqet disa rekomandime konkrete për Policinë e Shtetit. Më specifikisht, duhet të merren masa për të forcuar kontrollin dhe pavarësinë e Policisë së Shtetit për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar. Në këtë kuadër theksohet se drejtori i përgjithshëm i Policisë duhet të emërohet nga Parlamenti dhe Policia t’i raportojë atij, jo qeverisë, për të siguruar pavarësinë nga politika.
Po ashtu, rekrutimi brenda radhëve të saj duhet të jetë i decentralizuar dhe promovimi i oficerëve të karrierës të bëhet në mënyrë meritokratike. Roli i Akademisë së Sigurisë dhe mbështetja për gratë në polici janë po ashtu të rëndësishme për të rritur diversitetin dhe integritetin. Raporti vëren specifikisht se ka pasur përpjekje për të promovuar rekrutimin dhe promovimin e grave në forcën e policisë, por gratë ende përbëjnë vetëm 14.3% të forcës, dhe vetëm disa mbajnë pozita të larta.
Gjithashtu, buxheti vjetor i Policisë së Shtetit rezulton më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Nga ana tjetër, megjithëse dhurimet për Policinë e Shtetit janë të lejueshme me ligj dhe ato regjistrohen në një faqe të dedikuar, në këtë drejtim kërkohet më shumë transparencë.
Në vitin 2018, Shqipëria miratoi një ligj të njohur si procesi i vetingut të Policisë. Ligji fillimisht propozoi që të bëhej veting për të gjithë personelin e policisë, por më vonë u bënë ndryshime që e kufizuan këtë për 300 zyrtarë të rangut të lartë. Qëllimi i ligjit është për të forcuar integritetin brenda policisë, por procesi i vetingut ka ecur ngadalë, me vetëm 66 persona që ishin përpunuar deri në vitin 2022. Dhënia e kësaj përgjegjësie Agjencisë për Mbikëqyrjen e Policisë ka ngritur dyshime mbi paanshmërinë e procesit dhe ndërhyrjen nga politika.