Tragjedia që ka prekur Spanjën ditët e fundit, veçanërisht rajonin e Valencias, me shira të rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje dhe më shumë se 200 viktima, ka bërë që shumë trajnerë dhe lojtarë në orët e fundit të shprehen se nuk duhet të luhej futboll këtë fundjavë në vend.
“Nuk ka kuptim, kjo që po ndodh është shumë e ashpër”,- ka thënë Diego Simeone, trajneri i Atlético Madrid, në prag të ndeshjes së nesërme me Las Palmas. “Është prekëse të shohësh sesi njerëzit po ndihmojnë, me një lopatë apo çfarëdo tjetër që kanë.
Kjo tregon shumë për vendin dhe njerëzit e tij. Ka shumë njerëz që po kalojnë vështirësi, është e trishtueshme. Por ata na thonë të vazhdojmë të luajmë dhe ja ku jemi.”
Edhe Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, pajtohet: “Unë do të merrja vendimin që nuk do të luanim, është një tragjedi për komunitetin e Valencias dhe për të gjithë Spanjën.”
José Bordalás, trajneri i Getafe, thotë se shtyrja e ditës së ndeshjes është ajo që do të kishte më shumë kuptim. “Ne po përballemi me një nga tragjeditë më të mëdha të dekadave të fundit”.
Vicente Moreno, trajneri i Osasunas, nuk ka mundur t’i shmangë lotët në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Valladolidit. “Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët e mi, është kaos. Nuk mund ta imagjinojmë. Nuk e di nëse loja ndihmon në shpërqendrimin e njerëzve, nuk e di. Por mund t’ju siguroj se doja të isha atje”.
Pablo Maffeo, lojtari i Mallorcas, nuk e fsheh zhgënjimin e tij pas ndeshjes me Alavés: “Është njësoj si gjithmonë, pas gjithë lajmeve që patëm gjatë javës… Ata shikojnë më shumë paratë se sa tek ne.”
Arsyet që…
Një burim i LaLiga-s i kontaktuar nga ‘Mundo Deportivo’ zbulon se problemi është me kalendarin dhe datat e pakta në dispozicion për të luajtur. Ai shpjegon gjithashtu se klubet dhe punonjësit apo lojtarët e tyre punojnë në të njëjtën mënyrë si industritë e tjera të mëdha në vend, të cilat vazhdojnë të punojnë, pavarësisht tragjedisë.