Kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka deklaroi se mosbindja civile është një rrugë pa kthim, ndërsa shtoi se është e vetmja mundësi për të larguar qeverinë “Rama”.
Ai u shpreh se mungesa e opozitës në Kuvend, e çorienton mazhorancën.
“Mosbindja civile është një rrugë pa kthim. E vetmja mundësi për të larguar këtë qeverisje. Kjo nuk e pengon opozitën sepse grupi parlamentar do jetë në Kuvend edhe në respekt të taksapaguesve shqiptarë. PD duhet të jetë ballazi me këtë mazhorancë të çoroditur që mungesa e opozitës në parlament e çorienton më tepër. Mosbindja civile, që janë qytetarët që kundërshtojmë politikat e kësaj mazhorance, pensionistët shqiptar që janë në protestë pasi kjo qeverisje është tallur prej 12 vitesh me ta, janë mjaft problematika që qytetarët prej kësaj keqqeverisje kanë mbi kurriz”, u shpreh Ndoka në RTSH. E ndërsa na ndajnë dhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, pyetur mbi shanset që ka opozita për të ardhur në pushtet, Kryetari i PDK-së u përgjigj duke thënë se rotacioni politik është i domosdoshëm për vendin dhe për qytetarët.
“Shanset janë të padiskutueshme. Rotacioni është domosdoshmëri për vendin, qytetarët.
Ne kemi një qeveri të zhytur në krim, në korrupsion, afera korruptive. Gjysma e qeverisë sot është para drejtësisë, kryetarët e bashkive presin radhën të shkojnë në SPAK. Është mazhorancë e kalbur dhe ndryshimi i saj është padurim i qytetarëve për ta ndëshkuar me votë”, shtoi ai.
Ndoka garantoi se në zgjedhjet e ardhshme PDK do të jetë pjesë e Parlamentit. Ndoka shtoi se PDK është pjesë e koalicionit të PD-së dhe është në interes të opozitës të ketë koalicione për të luftuar mazhorancën.
“Unë jam pjesë e koalicionit të PD-së. Për fatin e keq PDK nuk është sot në Parlament nga pabesia dhe dredhi e Bashës. PDK është në 3-4 partitë kryesore të pluralizmit në këto 30 vite. Padiskutim që PDK do jetë pjesë e Parlamentit. Kodi ti dikton disa rregulla për partitë e vogla dhe pluralizmin në tërësi. Ky kod ta detyron koalicionin. Është në interesin e opozitës të ketë një koalicion për t’u përballur me këtë mazhorancë”, përfundoi ai.