“Po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë… Një trimëri kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time”, rrëfimi i jashtëzakonshëm i oficerit Xhemal Dibra, që ishte caktuar nga mbreti Zog për varjen në litar të klerikut shkodran që u përball me regjimin për të ndaluar marrëveshjen me serbët në dëm të Shqipërisë.

Sot, më 16 nëntor 2024, në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër, është një ngjarje e madhe. Eminenca e Tij Kard. Mercello erdhi në Shqipëri për të kryesuar Meshën e Shenjtë të lumturimit të dy martirëve: Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq. Janë dy klerikë që kanë shënjuar historinë e kombit me aktet e tyre, për të cilat ata u dënuan me vdekje nga regjimet në fuqi.

5 Mars 1927, Dom Gjon Gazulli u dënua nga mbreti Zog me varje në litar. Kleriku i spikatur i kohës së tij u ndëshkua pasi kundërshtoi marrëveshjen e mbretit shqiptar me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.

Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, dhe pastaj edhe në Austri. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919.

Ishte një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, pasi ai besonte se regjimi po diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Dom Gjon Gazulli ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë në atë kohë, i angazhuar në opozitë me qeverinë e mbretit Zog. Gazulli ishte i spikatur në veprimtarinë e tij për zhvillimin e zonës ku ai shërbente, pasi kishte hapur shkollën e parë me djem e vajza të besimeve të ndryshme fetare, myslimanë e të krishterë.

Për të justifikuar vendimin për ekzekutimin e tij, regjimi e akuzoi klerikun për organizim të kryengritjes në malsi dhe për shpërndarjen e armëve nëpër male. Për këto akuza ai u dënua me varje në litar.

Dom Gjon Gazulli u arrestua nga xhandarmëria e Zogut më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var në litar më 5 mars 1927.

Xhemal Dibra ishte oficeri i ngarkuar për aktin e varjes së Dom Gjonit. Ai ka përshkruar në detaje atë natë të fundit të klerikut guximtar përmes një intervistë dhënë për revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”.

Artikulli për varjen e Dom Gjon Gazullit në revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, publikuar nga Daniel Gazulli, është botuar në “albemigrant”.

“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin ende të rrahura prej njerëzish, sepse ishte Bajram. Dhashë urdhër të thirrej famullitari Gàzulli në oborr, sepse donte të fliste me Ipeshkvin. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoi çfarë do të ndodhte.

Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim i D. G.)… Françeskani kishte mbetur pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndryshoi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhur përreth që të largoheshin. Mbasi ne nuk u larguam, Ati i tha: “Dom Gjon, rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater”, iu përgjegj Gàzulli, “të mbramin rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu ai u rrëfye në sy tanë. Ne, myslimanët, pak marrim vesh kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuam prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdiu me një përshpirtëri të madhe. Ai dukej se po shkëlqente krejt fytyra.**

Tash u çil dera e burgut, dhe u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa dhe në të dy anët, më shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me zë të lartë, por unë mund të vija re që zëri i Atit dridhej, ndërsa zëri i famullitarit tingëllonte i qetë dhe i qartë. Një trimëri kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.

Kishim arritur te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes. Ekzekutori ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndërroste thellësisht fytyrën e famullitarit. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mua më kishte kapur frika. Mua më ishte dashur të përcillja edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si një frikë para qetësisë së këtij prifti. Ai ishte i pafajshëm. Këtë e dinim të gjithë. Por, urdhër! Unë, siç është zakoni, i lashë fjalën e lirë. Por më mirë mos ta kisha bërë këtë! Ai nisi të fliste me një zë aq të fortë, dhe me fjalë të drejta e që të këputnin zemrën, sa që mua përnjëherë më kapërdiu frika. E po ta kisha lënë të fliste më gjatë, mund të kishin të gjithë mundësinë të ktheheshin prej vetes. Mua më duhej të mendohesha për përgjegjësinë time. Dhe i thash shkurt: “Zotni, s’duem me ndjerë predhë!” Foli fjalët e fundit. Mjaft!

Atëherë ai ngriti zërin dhe tha: “Vetë po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë!”

Ne ishim të gjithë të përmalluar fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshur një këmishë e bardhë. Ekzekutori ia vuri vjekcën e konopit në fyt dhe i hoq shkambin nga nën këmbë. Ai ishte i vdekur! – Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927.”

Bashkë me Gjon Gazullin lumturohet sot edhe një tjetër klerik patriot si Pater Luigj Paliq – PALAJ, OFM. Kleriku i famshëm shqiptar i Kosovës, ishte arsimuar në vendlindje dhe më pas kishte hyrë në Kuvendin Françeskan në Troshan (Lezhë), aty ku ishte edhe bashkëvendasi i tij, Pater Shtjefen Gjeçovi. Në Troshan më 23 shtator 1896 veshi zhgunin françeskan, ku sipas rregullores ndërron emrin nga Matej në Luigj.

Studimet filozofike-teologjike i kreu në Itali (1896-1901). Pas shugurimit, për dy vite vazhdoi edhe studimet pasuniversitare. Në fillim shërbeu në Shqipëri (1905-1907), pastaj prej vitit 1907-1912 ishte rektor i Kishës së Shna Ndout në Gjakovë.

Nga fundi i shkurtit 1913, malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve. Frati u burgos në burgun e Gjakovës, sepse vizitonte shqiptarët katolikë dhe myslimanë të shpërndarë në fshatra të ndryshme të Gjakovës, për t’i përforcuar që mos të pranojnë fenë të cilën malazezët dëshironin t’ua impononin.

Nuk kaluan shumë ditë pas burgosjes së tij, kërkuan nga frati që ta mohojë publikisht fenë dhe kombin, e të kalojë në ortodoksizëm dhe të sllavizohet, por frati qëndroi dhe asnjërën nga këto nuk e pranoi. E dërmuan me shuplaka e shkopinj, e pështynë, e fyen.

Pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje, por ky përsëri qëndroi. Së fundmi e nisën këmbëzbathur, bashkë me 52 të burgosur të tjerë, nga Gjakova për në Pejë.

Pater Luigji ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Gjatë rrugës për në Pejë, në fshatin Janosh, afër Gjakovës, e vranë. Ishte 7 marsi i vitit 1913.

Vdekja e fratit zgjoi ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha Europiane. Komisioni ndërkombëtar erdhi në përfundim të vrasjes së pafajshme dhe të torturimit jonjerëzor që ishte ushtruar në trupin e Fratit.

Pas varrimit që ishte bërë në Janosh, trupin e tij pas disa muajsh e rivarrosën afër Kishës së Shna Prenës në Zym.

Procesin për lumnimin e tij e kishte filluar edhe Pater Shtjefën Gjeçovi, por me vrasjen e tij ky proces u ndal, për ta vazhduar përsëri në vitin 2010 nga Arqipeshkvia e Shkodrës.

Më 20 qershor 2024, në Vatikan, Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, i autorizuar nga Papa Françesku shpalli Dekretin për lumnimin e martirizimin të Pater Luigjit, i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913.