Turizmi ka vijuar të japë efekte pozitive në ekonominë shqiptare edhe në vjeshtë. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se besimi në ekonomi ka vijuar përmirësimin gjatë muajit tetor.Kjo u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve dhe në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë. Sektori i shërbimeve që lidhet direkt me turizmin ka pësuar një rritje me 4% gjatë muajit që sapo u mbyll. Rritja e vlerësimit të bizneseve në këtë sektor u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe nivelit të kërkesës. Nga të dhënat zyrtare rezulton se Shqipëria priti rreth 9.7 milionë vizitorë të huaj në nëntë muaj. Vetëm në muajin shtator në vend numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë është 1.1 milion ose 4% më shumë.

Edhe bizneset që operojnë në sektorin tregtar kanë pritshmëri më të mira për ecurinë e biznesit aktual dhe qëndrojnë rreth 10 % mbi mesataren historike. Edhe individët presin një përmirësim të gjendjes së tyre financiare në muajt në vijim.
Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më pare.