Sot Federata Ruse raportohet se ka përdorur për herë të parë në një konflikt ushtarak një raketë ndërkontinentale për të goditur objektiva në Ukrainë. Njësia në fjalë është e projektuar për të transportuar koka bërthamore dhe hyn tek arsenali strategjik. Duket se përdorimi i raketës që ka goditur në rajoin e Dnjeprit është një lëvizje simbolike një ditë pas përditësimit të doktrinës bërthamore ruse që konsideron formalisht gjendje lufte me këdo fuqi bërthamore që mbështet ushtarakisht një vend që është luftë me Rusinë.

Përshkallëzimi ngjan të ketë diçka artificiale në aspektin e zhvillimeve në terren ku Rusia po përparon shumë shpejt: në vitin 2024 ajo ka kapur tri herë më shumë territor në Ukrainë sesa kapi në vitin 2023 dhe raportohet se po e shpërbën inkursionin ukrainas në Kursk.

Këto janë zhvillime që afrojnë një paqe apo një armpëushim të dhimbshëm por ndoshta të detyruar dhe në këtë kuptim ngjan pa kuptim hyrja në lojë e një arme të tillë. Është artificiale sepse situatën e tensionoi vendimi i presidentit në detyrë Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat ATACMS të prodhimit amerikan për të goditur Rusinë, pas të cilit pasoi vendimi për furnizim me mina antinjeri dhe autorizimi nga Britania e Madhe i përdorimit të raketa Storm Shadow, ndërkohë që është përditë e më e qartë se vendimi i Biden lidhet më shumë me presidencën e Trump dhe pamundësimin e një paqeje të ndryshme që nuk kalon nga humbja e Rusisë apo siç e quan kjo e fundit: disfata strategjike e saj.

Deri në inaugurimin e Trump në janar janë dy muaj dhe shumëçka mund të ndodhë deri në atë moment nisur nga intensiteti i ngjarjeve. Ndërkohë që dje presidenti Putin deklaronte se Rusia është e gatshme të negociojë një armëpushim vetëm me një ekip nën drejtim e Trump, sot, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka paralajmëruar zgjerimin e goditjeve në Poloni nisur nga fakti se aty janë bazat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas saj, kompeksi i Redzikow është një objektiv legjitim çka nënkupton se legjitimiteti buron sa nga perceptimi i kërcënimeve që vijnë nga impiante të prodhimit të armëve që godasin Rusinë, aq edhe nga baza e re ligjore e miratuar në Rusi me doktrinën bërthamore. Nuk është e qartë se si do të veprohet dhe deri ku, por aktualisht nuk përjashtohet që një konflikt inicial me një vend të NATO-s të zgjojë diskutimin e vjetër të Trump për vjetërsinë e NATO-s, çka do ta linte Europën në një hapësirë të pambrojtur dhe do ta detyronte të rimendonte sigurinë e vet.