Nga Lorenc Vangjeli/
-I-
Ka një histeri të jashtëzakonshme kolektive sa herë përmendet sistemi shëndetësor në Shqipëri. Të majtët, ata që e patën “shëndetësinë falas” kalin e tyre të betejës në zgjedhjet e 2013-ës e lëvdojnë pafund dhe e konsiderojnë margaritarin e kurrorës së suksesit të tyre. Të djathtët pikërisht për këtë shkak, por edhe për shkak të dyshimeve serioze për korrupsion në këtë fushë, e urrejnë dhe e mallkojnë si shejtanin që i mbylli në shishe. Të dyja palët vazhdojnë të përdorin krahasime me kohën e njëri-tjetrit në pushtet: të parët kujtojnë pazarin e shpifur të kafeve, qofteve me birrë dhe sutjenave që shiteshin brenda QSUT-së, të dytët tregojnë me gisht paratë e koncesioneve dhe aksidentet e herë pas hershme që ndodhin me shërbimin e afruar. Publiku, mes tyre dhe njerëz që ende u dhembin duart nga duartrokitjet për mjekët në kohën e pandemisë, janë të bindur se “nderi” është me afat. Se mirënjohja është ves. Se çfarë është falas i përket gjithkujt dhe nuk është pronë e askujt. Dhe se goditja me gurë dhe hunj, në botën e tyre të stërvockël bardhezi, është e drejta e tyre kushtetuese ndaj botës përtej gardhi vetjak.
Përballë tyre është pjesa private e sistemit; janë spitalet private, shpesh një ndihmës i jashtëzakonshëm për shëndetin e qytetarit, por edhe një biznes i mirëfilltë, i egër dhe arrogant i stilit shqiptar, që ka dalë në treg për të maksimizuar fitimin. Janë ato institucione ku nata e shtrimit kushton sa një hotel në breg të detit e pikun e sezonit, ku lista e analizave është më e gjatë se ligësia njerëzore apo ku, mos o Zot, ndonjëherë bëhen edhe ndërhyrje të panevojshme në emër të faturës që duhet të paguajë “fatkeqi” i rradhës. Jo rrallë, në ato spitale individi nuk është më një pacient, nuk është një emër i përveçëm, nëna apo babai i dikujt, motra e vëllai i dikujt tjetër, por është vetëm një llogari dhjetra mijëra euroshe bankare. E po kështu, edhe një pjesë e kompanive farmaceutike që sërish janë biznes privat që i duhet të përballojë jo vetëm sfidat reale që kushtëzohen nga një treg mikroskopik si Shqipëria, por edhe reagimin e një administrate që në marrëdhënie me ta, është një sy që ju lexon lekët në portofol pa e nxjerrë atë nga xhepi. Që është mësuar t’i shohë si ca njerëz që fitojnë dhe shërbyes të karriges së tyre të përkohshme. Dhe për të mbyllur të gjithë piramidën, në krye qëndron aksioma “Të gjithë njerëzit, herët a vonë, në të mirë apo në të keq, janë të dënuar me vdekje. Dhe se shëndetësia është vetëm një hallkë mes tyre dhe Perëndisë që duhet të bëjë të pamundurën për ta larguar sa më shumë ditën e fundme. Një ndërmjetës që ka për detyrë të përmirësojë cilësinë e jetës deri në atë moment!”. Shëndetësia është një fushë ku nuk quhet sukses statistika për njëqind jetë të shpëtuara nga mjetët, por është një target që nëmet për një gabim të vetëm kur frakturohet një jetë.
Në sistemin shëndetësor shqiptar shërben elita e shoqërisë shqiptare. Mjekët, si kudo në botë dhe si rregull e jo përjashtim, janë pjesa më e ndritur e saj. Por ndërsa tek bluzat e bardha gjen monumente njerëzore, profesionistë që Perëndimi flegmatik do t’i peshonte me flori, ndër ta shquhen edhe njerëz më të vegjël se gishti tregues i dorës. Lakmonjës të lekut dhe gobsekë të ligj që e shohin pacientin si xhep për t’u grabitur. Tradhëtarë të betimit të tyre tek Hipokrati, ky soj sejsëzësh është përgënjeshtrimi i aksiomës tjetër: Mjekësia nuk është profesion, është mision! Në këtë botë që njeh çdo nuancë ngjyrash, këta janë luga e benzinës në menu.
-II-
Edhe pse është folur në mijëra orë debatesh politike në vend, pak herë, ndoshta tmerrësisht pak herë, është bërë skaneri i sistemit. Çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq. Dhe kur është bërë një gjë e tillë, kryesisht nga politika, debati është udhëhequr nga emocioni dhe jo nga logjika. Nga llogaria dhe jo nga frymëzimi për të bërë mirë, jo nga pasioni për të qortuar të ligën, por nga urrejtja për kundërshtarin.
Nevojitet urrejtje e madhe për të vërtetën për të mos parë diferencën me të shkuarën në këtë dekadën e fundit. Në të paktën dy drejtime. Në infrastrukturë dhe në kompletimin e tyre me pajisje mjekësore. Por duhet të jesh gjithashtu i verbër dhe mos të të ketë çuar kurrë halli në derë të spitalit apo të farmacisë për të mos vënë re se ka shumë raste të mungesës së barnave. Specialistët e fushës arsyetojnë se situata me buxhetin e akorduar për barnat e rimbursueshme është pika më e dobët e sistemit. Lista e ilaçeve të rimbursueshme është ende larg parametrave mesatarë të BE-së. Në Shqipëri kjo nuk kalon nivelin 37 për qind, ndërsa në Evropë është gati dyfishi, 61 për qind. Filozofia e hartimit të kësaj liste i përket vitit 2014 dhe që atëherë, pavarësisht se kanë ndryshuar shumë rrethana, ajo vazhdon të jetë e njëjtë, herë peng i padijes, herë i klientelizmit e herë mungesës së parave dhe herë të gjithave së bashku. Prej së paku tre vjetësh e gjysmë lista nuk ishte rifreskuar, ndërkohë që trajtimet mjekësore evoluojnë me ditë. Sipas OBSH-së, 60 për qind e qytetarëve vazhdojnë të paguajnë nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Gati një në tre shqiptarë që kanë pasur nevojë për trajtim me barna nuk i kanë siguruar dot ato ose i kanë siguruar me shumë vështirësi. Pjesa me e prekur e shoqërisë janë pensionistët, të cilët e vuajnë më së shumti këtë situatë, por më e lehtë nuk është as për ata që djersa e ndershme ju fal bukën e përditshme
Nga ana tjetër, një seri koncesionesh të dhëna në fushën e mjekësisë kanë rezultuar problematike dhe janë nën hetim nga SPAK. Por kujdes! Tentativa për të hedhur bashkë me ujin e ndotur edhe foshnjen, është sport kombëtar në Tiranë. Tjetër gjë është rezultati final, pra, a afrohet shërbim më cilësor prej tyre, dhe krejt tjetër gjë është procedura e ndjekur dhe hapësirat për korrupsion. Kush ka grabitur të paguajë, por askush nuk mund të mohojë, sa për të marrë një shembull, se mjekët kanë më së fundi instrumenta si kolegët e tyre në Perëndim dhe që kohëqëndrimi në spitale gati është përgjysmuar. Por kjo gjë është vetëm një nga problematikat sepse në këtë rast, Akili ynë ka dy thembra. Në sistemin shtetëror, aty ku shendetësia është premtuar të jetë falas – më saktë, gjithë shoqëria paguan në mënyrë solidare për individin në nevojë – gjithçka është private. Që nga parkingu, tek kopshtarët, tek ata që sjellin supën e spitalit e lajnë çarçafët, furnizuesit e barnave, sterilizuesit e instrmenteve apo laboratori i analizave. I vetmi proletar është mjeku që prodhon para për të gjithë sistemin. Që për më shumë, edhe duhet të durojë stigmën nga shoqëria dhe vetë politika që e konsideron shpesh mish për urinë e publikut të etur për mish njeriu. Tek privati është ndryshe. Aty mjeku gjen dinjitet për shërbimin që afron, por dhe qytetarët paguajnë shifra rrënqethëse si çdo frëng i uritur pulën e tij të hallit.
-III-
Në këtë skicë të përgjithshme të sistemit, pjesa më e dhembshme është shërbimi onkologjik në QSUT. Një hetim nga prokuroria ka hedhur dritë në një pjesë të zymtë, pikërisht në vendin ku empatia njerëzore dhe solidariteti i gjithë shoqërisë është më i nevojshëm se kurrë. Aty nuk gjenden vetëm qytetarë në luftë për mbijetesë dhe që fati i keq i hodhi në krahë të sëmundjes, por edhe familjarë e të afërm të tyre që vuajnë njëlloj. Mungesat në trajtimin e tyre dhe çdo cënim i të drejtës së tyre për të luftuar për jetën, është thjesht krim. Por e vërteta se çfarë ndodh në onkologjikun e Tiranës është krejt ndryshe nga sa e përshkruan prostata e padurueshme e disa zërave që nuk mund të përdorin paditurinë si alibi.
Eshtë e vërtetë që ka mungesa ilaçesh. Eshtë e vërtetë që ka mes bluzave të bardha që u shërbejnë atyre, njerës me zemër të zezë. Që humanizmin e kanë tregtuar me para dhe që nuk bëjnë ndryshim nga grabitësit me kallashnikovë në duar e maska në kokë. Por po kaq e vërtetë është që ka mjekë që bëjnë krejtësisht të kundërtën, që shpesh kanë bërë mrekulli; ka nga ato gra e burra që mjekësinë e kanë mision dhe jo thjesht profesion.
Me një projeksion të thjeshtë, vlerësohet se me vetëm tre milionë euro në vit, do të mund të mbulohej pothuaj në mënyrë shteruese nevoja për barna në shërbimin onkologjik. Një shifër që ministri i shëndetësisë do të duhej ta shumëzonte me shtatë për të mbuluar edhe nevojat për proteza në ortopedi dhe për ndërhyrjet për trombolizën dhe tromboektominë që sot behen vetëm tek privati. Tre sfida ende në garë për t’u adresuar nga shteti. Ka një nevojë dëshpëruese që mbas realizimit të dy komponentëve të parë, infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, të konsiderohet se tani që është koha që hartohet buxheti për vitin e ardhshëm, të ketë një qasje krejt tjetër për furnizimin me barna të spitaleve dhe të farmacive. Duke konsideruar hyrjen në treg të medikamenteve të reja dhe barnave origjinatore. Sa për një shembull: Shqipëria është ende shumë larg vendeve të rajonit me mbulimin e insufiçencës renale në nefrologji, apo Parkinsonit në neurologji. Ka një nevojë të dëshpëruar për të rritur shportën e medikamenteve të rimbursueshme në sasi e cilësi, për hyrjen e barnave origjinatore përballë atyre gjenerike, pavarësisht çmimit, gjë që duhet shoqëruar me rishikim të buxhetit të rimbursimit, Pasiguria e publikimit të listës është një histori që përsëritet çdo vit, duke sjellë vonesa në disponueshmërinë e barnave dhe kaos për pacientin. Eshtë urgjente jo të shpiket rrota, por të merren modelet e krijimit të sistemit të kontrollit të barnave që nga fabrika prodhuese tek pacienti fundor e kështu me rradhë. Kjo nuk është lëmoshë për qytetarin. Eshtë një e drejtë që atyre jua njeh e drejta e tyre për jetën dhe që shteti duhet të bëjë çdo sakrificë për ta garantuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
-IV-
Opinion-i i Blendi Fevziut është herë pas here lajm më vete. Shpesh jo për atë që thuhet drejtpërdrejt aty, por për komentet që e pasojnë atë. “E pe? E pashë! I tha! I thanë! U zu, u therr, derr, dërdërdër. Ca çojnë modelin e flokëve në studio, ca kravatën e re, ca hakërrehen përpara kamerave dhe të tjerë i kreshpërohen ekraneve të televizorit në shtëpi me si ja the e si ta tha e pse s’i the!”. Të hënën e parë të nëntorit ndodhesha i ftuar në studio në të njëjtën poltron që i zoti i saj më ul sa herë që e gjykon të nevojshme të më thërrasë. Mësova se ministria e shëndetësisë dhe dhjetra punonjës të saj e kishin pasur për gazep të madh temën e diskutimit dhe kishin refuzuar ftesat. Shumë mjekë që përdorin bisturinë më mirë se fjalën gjithashtu ju shmangën ftesës për “gjyq publik’. E të tjera e të tjera, por kjo është histori tjetër. Të nesërmen pashë se një frazë imja, tërësisht e nxjerrë nga konteksti kishte bërë xhirron e rrjeteve sociale, aty ku herë me hanxhar e herë me sqeparë, prisnin moralistët e pafundmë që janë të gatshëm të bëjnë gjykim të epërm. Shumë nga ta, siç mund të perifrazohet Shileri i madh, njëlloj si “Murgjër që ju bie të fikët për hiçmosgjë dhe që kritikojnë taktikat e Hanibalit!”, i ranë shkurt dhe në vend të burimit, pinë ujin e ndotur të servirur nga një prej të ftuarve të tjerë të emisionit. Jo njëherë, por disa herë bëra apelin tim modest që të sëmurët me kancer meritojnë empatinë dhe solidaritetin e plotë të të gjithë shoqërisë. Se ata, si të gjithë njerëzit, janë të dënuar me vdekje që në lindje dhe se ata, më shumë se të tjerët kanë nevojë për mbështetje. Eshtë në videon e emisionit që kush ka nge e kuriozitet edhe mund ta shohë sërish e sëërish. Në krye të herës, ndjesë me përunjësinë më të thellë për çdo keqkuptim që mund të kem sjellë me fjalën e mia, ndjesë edhe për çdo vuajtje vuajtje krejtësisht të pameritueshme që mund të kem shkaktuar, por kjo është e vërteta ime modeste. Nëse ndonjëherë do të kisha ndonjë gjë në dorë më shumë se fjalën vetjake, për të mos thënë atë që thonë të gjithë: “Të isha mbret vetëm për 24 orë…”, do të kisha kursyer asfaltin për disa kilometra rrugë që atyre të mos u mungonte asgjë. Vit mbas viti. Për çdo grua e burrë që shorti i jetës i përball me të ligën.
Gdhirja e të martës ishte hesap më vete. Si një skuth mbas ferre, një gazetar me emrin Osman, njëherë nxorri shpirtin nga ferrat dhe pastaj nxorri totalisht jashtë kontekstit atë që kisha thënë. “Mizor, i ulët, i pacipë, çnjerëzor!”. E pas tij edhe një vrundull moralistësh që bënë gjykatësin mbi mua. I fal të gjithë, sepse i kuptoj të gjithë. E dija që kolegu ishte pasionant në punën e tij, por edhe i paditur në gjykim. Edhe pse padituria nuk është justifikim, e kam justifikuar si dikush që në profesionin e gazetarit ka nisur të thinjet prej kohësh përballë një kolegu më të ri në moshë. Nuk më bën përshtypje gishti që Osmani e tundte si jeniçerët jataganin duke u vetëbërë synet lart e poshtë më fjalët e tij plot padituri në studio, por helmi që derdhi ai një ditë më pas dëmtoi shumë hallexhinj që e besuan në moment të parë. Rrjetet sociale u mbushën me prostatën e tij vetjake që ai e nxorri me kollë nga shpirti dhe ligësi nga diafragma e frustrimit vetjak. Atë e rimorri dhe e shpërndau ngado aty ku një shoqëri në krizë që kërkon armik, kërkoi të më vizatojë edhe mua si armik të moralit publik. Por ky është dëmi më i vogël që ky jeniçer i fjalës bëri atë mbrëmje dhe mëngjesin pasardhës. Duke publikuar mesazhet në grupin e wts të disa mjekëve, duke i nxjerrë gjithashtu nga konteksti, me daltonizmin që i afron ligësia, me lehtësinë që i jep naiviteti, me breroret e kalorësit të marrëzisë që i dha vetes, ai tha një seri të pavërtetash që bënë dhe rosat të gajasen së qeshuri. Sepse gënjeu në mënyrë dramatike. Sepse ka barna që mungojnë, por ka skema trajtimi që i zëvendësojnë ato. Sepse pavarësisht skemës së përdorur, mbijetesa e përgjithshme dhe progesioni “free survival” nuk ka diferenca. Sepse nëse medikamentet janë të së njëjtës linjë trajtimi, në mungesë të njërës prej alternativave, përdoret një alternativë tjetër me të njëjtën dobi për pacientin. Shkenca ka arritur të skicojë shumë skema alternative mjekimi dhe mungesa e një bari, nuk cënon mbijetesën, siç mendon jeniçeri i fjalës apo siç i pëshpërisin frymë të helmuara në vesh që pastaj ai helmon dynjanë. Duke thyer besimin mjek – pacient, thelbësor në trajtimin e çdo sëmundjeje, ky ditëzi që qoftë falur se nuk diti çfarë bëri, u soll si një metastazë e padurueshme tumori publik.
Ka edhe më shumë se kaq. Ka edhe më keq se kaq. Kriminalizimi në bllok i shërbimit të onkologjisë në QSUT nuk është kaq i pafajshëm sa mund të shihet në vështrim të parë. Secili pacient që i beson të paditurit dhe që i largohet asaj dere ku i premtohet shërbimi falas – jo gjithmonë ai i duhuri dhe i merituari – shndërrohet në klient diku gjetkë. I padituri është thjesht një agjent marketingu që çon klientë aty ku halli e nënshtron të shkojë pacientin. Aty ku halli ja mat xhepin me kilogram.
Ky kriminalizim që i bëhet shërbimit, i bën një dëm të pakthyeshëm qytetarëve në hall që ndodhen aty. Osmani i hershëm që nuk ka vdekur në mendësinë tonë, qoftë dhe kur ky shfaqet si jeniçer i të drejtës, qoftë kur modestinë e frikshme të inteligjencës e fsheh nën parzmore luftëtari, është shërbëtori më i mirë i ca interesave që në rastin më të mirë nuk i kupton.
Edhe djalli vetë mund të lexojë Biblën, Kuranin dhe çdo libër të shenjtë, por kjo nuk e bën atë shenjt. Përkundrazi, e fsheh më mirë mes njerëzisë për t’i bërë më shumë dëm njeriut! Osmani ynë nuk është djall. Eshtë thjesht i paditur dhe i lig. Por nëse për diagnozën e parë mund t’i bëjë derman biblioteka, për të dytën, fati e ndihtë!
-V-
Dhe një detaj i fundit, por jo për në fund. Sot më e vlefshme është të dish sesa të kesh. Norvegjia, një vend që në Shqipëri e kanë me qejf ta marrin për shembull, shpenzon 696 euro për çdo rast të një tumori specifik. Bullgaria shpenzon 4612 euro, kurse Hungaria kapërcen në 23610 euro. Për paradoks, rastet e fatalitetit në Norvegji janë katër deri në pesë herë më të vogla se në dy vendet e tjera. Sepse aty funksionon sistemi. Sepse aty edukimi i popullatës, mjeku i familjes dhe depistimi në faze të hershme të sëmundjes dhe jo paratë, janë çelësi i suksesit. Ky është thelbi që duhet kuptuar nga politikëbërësit në Tiranë. Kjo duhet kuptuar nga korri i mallkuesve profesionistë apo i diletantëve që janë shërbëtorë që nuk arrijnë të njohin të zotin sepse shërbejnë pa ditur se çfarë bëjnë. Kjo po, që është temë debati dhe jo qarja e hallit të një grushti politikanësh që prej vitesh i tregojnë gishtin qytetarit.
Fushata elektorale është në prag. 11 vjet më parë Edi Rama e mundi Sali Berishën edhe me premtimin për reformën në shëndetësi. Në pak muaj ai ka mundësinë, por dhe përgjegjësinë që t’u thotë të gjithë shqiptarëve, atyre që e duan dhe e votojnë dhe atyre që e urrejnë dhe e mohojnë: Shëndetësia është prioriteti im absolut! Ca para më shumë për shëndetin mendor të të ligjve mund të sigurohen edhe me një taksë të shtuar. Unë vetë do ta paguaja me bindje!