Një nga 21 masat e sigurisë që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përket Prekë Kodrës, një personazhi të njohur për mediat në vend dhe jo vetëm. Teksa ende nuk dihet se çfarë akuzash rëndojnë mbi të në dosjen e re, 47-vjeçari nga Malësia e Madhe, i cili është shpallur në kërkim, disa vite më parë dyshohej se ishte pjesë e një plani për vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti të UÇK-së me emrin Ismet Haxha.
Sipas dokumentit të Njësisë Kundër Terrorizmit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Ai përshkruhej si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit të llojit “snajper”. Sipas planit, fillimisht do të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Pas publikimit të lajmit, në media foli vetë Kodra, i cili mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.
“Ç’ka me shpjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme. Për herë të parë e kam marrë paradite rreth orës 11:00, kam qenë në Shkoder në kafe dhe më ttherret dikush nga Gjermania dhe më thotë a je duke i shiku lajmet, dhe kur e pash atë gjë që unë se kisha imagjinu kurrë në jetën teme,”- tha Kodra asokohe.
Por si u zbulua emri i tij?
Dokumente sekretë nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat iranianë të njohur për publikun si “Homeland Justice” dhe kanë zbuluar disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e disa personave, mes tyre ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Veç tyre ishte tentuar eliminimi i Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, dy zyrtarë në Kosovë.
Mediat kanë raportuar dhe se Prekë Kodra është arrestuar dhe në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës dhe se ishte simpatizant i njërës prej dy partive të mëdha në Shqipëri. Po ashtu, dyshohej edhe për lidhje të forta me mafien e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë zënë me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.
“Ai ishte dyshuar edhe për lidhje të forta me mafian e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë zënë me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.Ka lidhje të forta me malazez. Këta (grupi i Kodrës) bëjnë krime dhe i mblulojnë se kanë lidhje me shtetin. Nipi i Kodrës raportohet të jetë Pëllumb Guri, i cili madje edhe kishte shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë malazez kur ishte penguar në aktivitetet e tij që kishin të bënin me transportimin e 88 kilogramëve lëndë narkotike kanabis sativa. Policia e Shtetit shqiptar kishte qenë në banesën e z. Kodra, ku kishin gjetur një numër të madh armësh por jo edhe personin në fjalë. Ai i kishte dy fëmijë të mitur në momentin e bastisjes nga forcat e rendit,”-shkruante asokohe gazeta “Nacionale”.
Por asgjë nuk u vërtetua! Prekë Kodra ishte shpallur në kërkim dhe për dosjen “Metamorfoza’. Emri i tij doli dhe në përgjimet Sky ECC ku u zbuluan lidhjet e grupit “Bajri’ me biznesmenin Pëllumb Gjoka, tashmë ish-shefin e operacionales Oltion Bistri e ish-prokurorin Xhevahir Lita. Nga dosja u zbulua se ky personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje. Sipas gazetarit Eni Ferhati, në Elbasan, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas.
“Nëse e mbani mend nga Kodra e Krastës, në atë kohë shënjestra i shpëtoi atentati dhe autori i dyshuar ishte pikërisht Prek Kodra i cili ishte kontraktuar nga kjo organizatë kriminale në Elbasan për të eliminuar kundërshtarin e tyre.”
Emri i tij ka dalë edhe tek dosja e vrasjes së Kastriot Reçit, ngjarje kjo e ndodhur në Rrëshen në datën 7 janar 2020. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës, Prek Kodra, nga viti 2020 ka qënë person i dyshuar si autor i mundshëm i ngjarjes. Por për shkak se nuk gjendej në Shqipëri, marja e një analize AND-jë nga policia ka qënë e pamundur. Në korrik të vitit 2022, kur Kodra erdhi në Shqipëri, u shoqërua nga Policia dhe nga testimi i profilit të ADN-së së Kodrës me profilin e ADN-së të sekuestruar në banesën nga u qëllua me snajper Kastriot Reçi, nuk u gjenden të dhëna përputhshmërie./ZËRI