Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar Serbinë në lidhje me shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Shpërthimi dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.
Në një konferencë të jashtëzakonshme të organizuar në mbrëmje vonë, kryeministri Kurti e quajti “sulm kriminel dhe terrorist, dashakeq” nga fqinj verior agresiv e armiqësor që ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike”- tha Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se përmes sulmit është rrezikuar furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike, teksa shtoi se Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës.