Një shqiptar ka përfunduar në pranga pasi ka rrahur brutalisht një angleze, pas një debati mes tyre në Britaninë e Madhe. Sipas faqes zyrtare të Policisë britanike, viktima e dhunës në familje pretendon se u godit me grusht dhe u tentua që të mbytej nga partneri i saj, Emiljano Cakraj. Ngjarja ka ndodhur në 23 janar të këtij viti.

Cakraj e goditi disa herë me grusht në kokë dhe pasi i futi duar në fyt tentoi që ta vriste. Ajo iu lut Cakrajt që ta çonte në spitalin King’s Mill, duke i premtuar se mjekëve do t’u thoshte se kishte rënë nga shkallët. Ata hipën në makinë, por ai kaloi pranë spitalit dhe nuk u ndal që ta linte të renë që të merrte mjekim.

Në atë moment gruaja, e cila ishte në sediljen e pasme, filloi të mendonte se Cakraj do ta çonte diku për ta vrarë. Kështu që vendosi të shtirej si e vdekur. I panikosur, Cakraj u fut në një parking dhe thirri dikë që e mori bashkëjetuesen e tij dhe e çoi në spital. Pasi e reja shkoi në spital, tregoi gjithçka duke sjellë kështu edhe arrestimin e shqiptarit. Përveçse e kishte dhunuar, Cakraj e kishte përndjekur edhe në rrjetet sociale nëpërmjet llogarive të rreme.

Për tmerrin që i shkaktoi të resë, Cakraj u dënua me tre vjet burg.