Jo vetëm Kosova. Kundër UEFA-s, për vendimin e Disiplinorit që i dha 3 pikët në tavolinë Rumanisë, është pozicionuar edhe një tjetër përfaqësuese. Suedia e ka apeluar vendimin e dhënë, duke e cilësuar atë të papërshtatshëm.
Në një kohë kur Dardanët kanë njoftuar se do të ndjekin të gjithë hapat ligjorë, duke e apeluar humbjen 3-0 në tavolinë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe skandinavët.
Arsyet janë të ndryshme. Kosova braktisi fushën e lojës pas thirrjeve raciste dhe gjuhës së urrejtjes që vinte nga tifozët rumunë në tribuna gjatë ndeshjes së Nations League.
Sipas Federatës së Kosovës, gjoba prej 128 mijë eurosh dhe një ndeshje pa spektatorë për Rumaninë janë konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve të dardanëve, për të braktisur fushën e lojës prej thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike.
Nga ana e tyre, me fitoren që i’u dha Rumanisë, suedezët humbën statusin si skuadra më e mirë e Ligës C, pasi ata e mbyllën edicionin me 16 pikë, ndërsa pas fitores në tavolinë rivalët u ngjitën në kuotën e 18 pikëve.
Në situatën e krijuar, përveç Kosovës edhe Suedia do ta apelojë vendim e UEFA-s në CAS-in e Lozanës. Ky hap do të ndërmerret sepse nordikët janë direkt palë e prekur, pasi skuadra më e mirë e Ligës C merr pjesë në fazën “play-off” për t’u kualifikuar në Botërorin 2026.
“Po shohim mundësinë për ta dërguar më tej çështjen. Është thënë që sjellja jashtë fushës kishte impakt dhe ndikoi të dyja skuadrat që luajtën, ashtu si edhe te ne”, tha ish-sulmuesi i famshëm, Kim Kallstrom, tashmë në rolin e drejtorit të ekipeve përfaqësuese në Suedi.