Këtë 28 Nëntor, në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të vendit, Tirana u bë sërish qendra e bashkimit kombëtar, duke mirëpritur për të dytin vit radhazi “Paradën e Shqiptarëve.”

Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork), kjo ngjarje festive mblodhi kryetarë, nënkryetarë dhe këshilltarë komunalë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe përfaqësues nga komunat arbëreshe.

Parada u hap me një moment emocionues, recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana. Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.

Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Parada e Shqiptarëve ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë.

Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale. Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon. “Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.