Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Novi Sad te Serbisë, ku një tendë e stacionit hekurudhor të qytetit është shembur, duke zënë poshtë dhjetëra njerëz.

Siç raportohet deri më tani janë nxjerrë 13 trupa të pajetë nga rrënojat, e mbi 30 persona janë të lënduar. Gjithashtu mes viktimave, është dhe një fëmijë 6-vjeçar.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç duke folur për mediat u shpreh se bilanci i viktimave është 13 persona dhe se operacioni i shpëtimit për personat e tjerë të mbetur nën rrënoja do të vijojë. Daçiç tha se trupi i 13-të është nxjerrë nga aksidenti i ndodhur në Novi Sad dhe shtoi se nuk presin që të gjenden viktima të tjera.

Sipas tij, ata nuk kanë dhënë shenja jete, ndërsa ashpërsia e plagëve të marra nuk ka lejuar askënd që të ndihmohet. Ai shtoi se tre persona janë shpëtuar dhe janë në spital. Ndër të tjera u shpëtuan edhe dy femra që ndodheshin nën rrënoja dhe me të cilat kishte kontakte. Për gjendjen e të plagosurve në spital lexoni në një lajm të veçantë. Daçiç tha se puna për shpëtimtarët është e vështirë. Më tej ai falënderoi stafin mjekësor dhe të gjitha shërbimet e qytetit për përpjekjet e tyre.

“Kur patëm tetë viktima, e dinim se kishte edhe pesë persona të tjerë nën rrënoja, për të cilët nuk mundëm të vërtetonim nëse ishin gjallë apo të vdekur. Vdekja ka ndodhur në vend. Operacioni i shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë pasdites dhe ai operacion ka nisur me një numër të papërcaktuar njerëzish që mund të ishin nën tendë. Që në fillim dyshohej se ky numër ishte i konsiderueshëm dhe që, duke marrë parasysh peshën e tendës dhe strukturën, se numri i të vdekurve ndoshta do të jetë më i madh se numri i të plagosurve. Këtu janë të pranishëm rreth 80 shpëtimtarë tanë nga Departamenti i Situatave Emergjente, por ka edhe mekanizim, jo ​​vetëm nga ministria jonë, por edhe nga kompanitë publike dhe private, pa atë mekanizim nuk do të mund ta ngrinim këtë ndërtim.” tha Daçiç.

Daçiç më herët tha se kishte parë komandantin e njësisë së shpëtimit duke qarë kur mësoi se një fëmijë gjashtë vjeçar kishte vdekur nën tendë. Ai theksoi se ende nuk ka listë përfundimtare dhe listë identifikimi.