Prokuroria e Posaçme ka marrë sot në pyetje ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili po hetohet pasi akuzohet për shitje të sekretit shtetëror, dekonspirim të operacioneve të Policisë së Durrësit dhe bashkëpunim me persona të grupeve kriminale për t’i siguruar vota në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare 2021. Çyrbja u mor në pyetje nga prokurori Adnan Xholi në prani të avokatit prej orës 12:00-14:00. Ai ka mohuar të ketë përdorur aplikacionin Sky Ecc.
“Nuk kam patur kurrë aplikacion Sky Ecc dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata njerëz. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar”, mësohet të ketë deklaruar Çyrbja.
Nga ana tjetër Ahmet Masha është pyetur nga prokurori i çështjes në lidhje me përdorimin e aplikacionit Sky Ecc, ku ai ka pretenduar gjithashtu se dhe ai nuk ka qenë përdorues. Mashës po ashtu iu bënë një sërë pyetjesh lidhur me akuzën e ngritur tregim i sekretit shtetëror. Avokati i tij është shprehur se mungon ekstrakti se kujt i është përcjellë informacioni në rast se klienti i tij e ka kryer këtë vepër.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 21 tetor, ndërsa ndaj tij rëndojnë 3 akuza, konkretisht: “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Çyrbja akuzohet se informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkohen nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në qytetin e Durrësit. Në kompensim të ketij favori, Çybrja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Për të njejtën çështje, me urdhër të SPAK u arrestua edhe Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim Altin Hajri, i cili po gjykohet në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.