Parlamenti i Venezuelës, ku fraksioni qeverisës ka shumicën absolute të vendeve, miratoi të enjten një ligj që parashikon dënime me burg deri në 30 vite për mbështetjen e sanksioneve kundër qeverisë së presidentit Nicolas Maduro.
“Kushdo që inkurajon, nxit, kërkon, favorizon, lehtëson, mbështet ose merr pjesë në marrjen e masave shtrënguese (…) dënohet me burgim nga 25 deri në 30 vjet”, thuhet në një nen të ligjit, që parashikon edhe vendosjen e gjobave që tejkalojnë miliona dollarë dhe heqjen e së drejtës për t’u zgjedhur deri në 60 vjet.
Ligji synon të vërë kufij për ata që kryejnë “tradhti”, deklaroi presidenti Maduro, duke iu referuar atyre që mbështesin deklaratat e fuqive të huaja.
Teksti, i quajtur “ligji i çlirimtarit Simón Bolívar”, është një reagim ndaj një projektligji të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA më 18 nëntor, i cili synon të forcojë sanksionet kundër Venezuelës.
Projektligji është përpjekja e fundit e qeverisë Maduro për të goditur opozitën e vendit, e cila pohon se ata ishin fituesit e vërtetë të zgjedhjeve presidenciale të korrikut, në të cilat shumë venë në dyshim pretendimet e Maduros për fitore.