Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Gjirokastër ku inspektoi punimet për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe stërvitjes në Repartin Ushtarak Nr. 1032 në Gerhot, në varësi të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.

Rikonstruksioni i plotë i godinës shumëfunksionale ka nisur në maj të këtij viti dhe pritet të përfundojë brenda muajit shkurt.

Vëngu u shpreh se, ky është një investim modern për një godinë që do të shërbejë për akomodimin e Shtabit të Batalionit në zyra të reja, moderne dhe funksionale, me klasa dhe kabinete për nënrepartet dhe dhoma për akomodimin e personelit nga rrethe të largëta.

Ministri takoi gjithashtu personelin e shtabit dhe diskutoi mbi sfidat e punës së përditshme.

Ai vlerësoi angazhimin e tyre në operacionet për shuarjen e zjarreve dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe trajtimin financiar.

“Një ndalesë e veçantë në këtë repart, i cili dalëngadalë po rikthehet në identitet, ndërsa investimet në infrastrukturë që nxisin rritjen e kapaciteteve dhe kapitalit njerëzor do të shtrihen në mënyrë kapilare në të gjitha repartet e vendit tonë”, u shpreh Vengu në një postim në rrjetet sociale.