Interneti është mbushur këto ditë me foto e video nga disa zona të Spanjës, e sidomos Valencia dhe rrethinat e saj, që ishin më të goditurat nga reshjet e dendura dhe përmbysjet e befasishme që kanë lënë pas viktima, dhimbje e shkatërrim.
Mediat vendase flasin për kushte atmosferike të paprecedentë. 211 vetë humbën jetën nga vërshimet që kanë ndryshuar fytyrën e periferive të Valencias, duke bërë që ato të mos ngjajnë me vendin ku njerëzit jetonin vetëm pak ditë përpara.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe një video nga Paiporta, komunë që gjendet në provincën e Valencias. Pamjet tregojnë automjete që ende lëvizin nëpër rrugë, por menjëherë pas kësaj, brenda pak sekondash, rrugët mbulohen nga uji i përzjerë me baltë.