Komisioni Qendror i Zgjedhjeve javët e fundit është përfshirë në diskutime për modalitetet e votimit të emigrantëve nga ku një prej problemeve më evidente është dërgimi me postë i votës.
Sipas KQZ asnjë prej operatorëve ndërkombëtar të kontaktuar nuk merr përsipër në më pak se 30 deri 45 ditë sjelljen e zarfeve me fletët e votimit. Sekretari për Organizimin dhe çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri i ftuar te “Barometri” në Euronews Albania deklaroi se kjo përbën një shqetësim të madh pavarësisht se nuk është çështje politike, dhe sipas tij duhet të gjendet një zgjidhje ligjore.
“Sipas asaj që thotë Ilirjan Celibashi, operatorët e postave shprehin shqetësimin për kohën e dërgimit dhe kthimit të zarfit pasi sipas tyre është e pamjaftueshme. Problemi nuk është politik por në momentin që organi i ngarkuar për zbatimin e këtij procesi thotë që vota është në rrezik ne jemi të shqetësuar dhe mendojmë që duhet të gjejmë një zgjidhje ligjore”, e mbylli fjalën e tij Gjiknuri.