Flutura Basha humbi jetën në masakrën e Dobraçit, ku ngelën të vrarë 3 persona, mes tyre edhe gruaja që kishte dalë me të shoqin në treg për ti blerë shegë fëmijëve.
Gazetari Elton Qyno shkruan se Flutura Basha është motra e Isa Harushës, ish-oficerit të policisë kufitare në Shkodër, i cili në vitin 2006, ka mbetur i vrarë në një atentat të organizuar në ambientet e lokalit të tij në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2006, ndërsa Harusha përgjatë viteve 2000-2006 ka qenë komandant i njësisë policorë “Renxhersat”. 45-vjeçari me banim në Dobraç u vra më 24 gusht 2006 në një lokal që e kishte marrë me qira. Plumbat asokohe rrezikuan dhe vëllain e tij, Arben Harusha. Për vrasjen u identifikuan Kolë, Pëllumb dhe Ergys Alija, vëllezër me njëri-tjetrin.
18 vite pas vrasjes së djalit, për familjen Harusha ndodh sërish tragjedia. Flutura Basha humb jetën në mënyrë makrabre, pas një përplasje mes bandave të qytetit të Shkodrës, që zgjodhën ti lanin hesapet në mes të rrugës.
Një tjetër jetë e pafajshme iku, ndërkohë që ngjarja e rëndë ka vendosur përballë sërish dy familje dominuese në qytetin e Shkodrës, siç janë dy fiset Lici dhe Bajri. Për ngjarjen ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, ende nuk ka asnjë të dyshuar apo të arrestuar.