Kjo është një përgjigje për kryetaren e Komisionit Hetimor të Koncesioneve të Shëndetësisë, që aq shumë të pavërteta ka thënë për Kontrollin Shëndetësor Bazë natën e fundit të këtij komisioni dhe kaq shumë baltë ka hedhur mbi punën 8-vjeçare për këtë projekt.

E pamë histerinë e saj natën e fundit të komisionit hetimor, kur u kuptua dështimi i arsyes për të cilën u ngrit ai komision. Gjatë ditëve të punës së komisionit, përveç anëtarëve të opozitës që përsërisnin gënjeshtra të shpikura prej tyre, nuk u tha asgjë tjetër negative.

Çdo ditë dëgjuam vlerësime nga doktorët dhe profesorët e sistemit shëndetësor, specialistët dhe funksionarët e Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP-së, Fondit të FSDKSH-së, etj., të cilët dëshmuan si dëshmitarë të thirrur nga ky komision.

Fitimet dhe shifrat nuk janë ato për të cilat flet kryetarja e komisionit, por janë shumë më të ulëta nga vlerat e paraqitura atë natë. Shifrat e bilancit të kompanisë, të cilat gjenden lehtësisht në QKB, flasin qartë për të ardhurat e realizuara dhe të paguara nga fillimi i projektit deri në fund të vitit 2023 nga FSDKSH në shumën prej rreth 44 milionë euro.

Kryerja e këtyre analizave gjatë periudhës 2015-2023 ka gjeneruar një fitim mesatar prej rreth 8.9% në vit, që ka sjellë fillimin e shlyerjes së investimit pas vitit të 8-të nga aksionerët. Me këto të dhëna, duket qartë se, në rast se nuk do të ishin paguar rastet e pakryera, pas 8 vitesh punë, kompania do të rezultonte me një humbje prej 3.8 milionë euro dhe nuk do të kishte mundësi të shlyente financimet fillestare të aksionerëve. Kjo është arsyeja pse kontrata garanton pagesën e një numri minimal prej 475,000 rastesh në vit.

Për të qenë më të qartë, me shifrat e deklaruara në atë komision, deri në fund të afatit 10-vjeçar, parashikohet që vlera e projektit të shkojë në 63 milionë euro dhe jo 130 milionë euro.

Megjithatë, për kaq shumë sa është folur dhe përfolur dhe sa shumë është përbaltur nga ata që duan të përfitojnë politikisht, përgjigjen për këtë e kanë dhënë vetë qytetarët. Deri më sot, mbi 1.1 milionë njerëz na kanë besuar dhe kanë marrë pjesë në Kontrollin Shëndetësor Bazë, duke u paraqitur për vite me radhë.