Eni Ferhati ka zbuluar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” se kanë qenë 7 të mitur që janë kapur nga kamerat e sigurisë në zonën ku ka ndodhur sherri me thika pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku humbi jetën Martin Cani dhe u plagos shoku i tij Luis Meçja.

I plagosur dhe nën kujdesin e mjekëve në një spital privat është dhe shtetasi Mario Perlleshaj, i mituri i akuzuar si autor i vrasjes së 14 vjeçarit.

Gazetari Eni Ferhati tha se shtatë të miturit që janë pasur aktivitet përreth zonës së sherrit, janë: Armandi, Klevisi, Marseli, Kingstoni, Mario Perlleshaj, Luis Meçja dhe Martin Cani. Sipas tij, kamerat e sigurisë në zonë i kanë kapur ata duke lëvizur në zonë para dhe pas sherrit, ama se çfarë veprimesh kanë kryer duhet ta përcaktojë grupi hetimor.

“Policia e Shtetit duhet të sqarojë kush janë shtetasit e tjetër, përveç këtyre të përmendur dhe çfarë roli kanë pasur në ngjarje, që duken në kamerat e sigurisë që kanë veprime te rrugica… Kush është Armandi, kush është Klevisi, kush është Marseli, kush është Kingstoni dhe një person tjetër. Mua më rezulton që në vendngjarje kanë qenë 7 persona.

Sipas informacioneve dhe pretendimeve që ka pala tjetër sot, sepse edhe i mituri tjetër është në një situatë të vështirë. Pretendohet që Martini ka qenë me Luisin, i mituri tjetër i plagosur, dhe tre persona të tjerë”, tha gazetari Eni Ferhati.

Një person tjetër që akuzohet dhe pretendohet nga palët se ka qenë i përfshirë është dhe Kledion B, i cili rezulton se është djali i një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kurse nëna e tij është specialiste pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

“Kurse Mario Perlleshaj, autori i arrestuar, ka qenë me një person tjetër, Kledionin, personi që akuzon familja. Sesa veta janë përfshirë në konflikt dhe sa thika, do të jenë ekspertizat mjekoligjore ato që do të përcaktojnë. Se dhe autori i arrestuar ka një plagë, duhet të përcaktohet se nga kush e ka.

Sa i takon shtetasit Kledion Bekaj, në fakt mbiemri është Begaj, ka një lapsus, ky është një i mitur që është nxënës i shkollës “Fan Noli”. Ai është çuar menjëherë pas ngjarjes në Polici nga i ati i tij. Menjëherë pasi ka rrëfyer në shtëpi, është pyetur, janë zhvilluar të gjitha hetimet paraprake.

Aludohet për emrin e personit të dytë, ai është djali i një zyrtari shumë serioz, i cili me moral dhe profesionalizëm ushtron detyrën. Policia duhet të kishte dhënë një informacion sqarues, sepse sot nuk do të kishim këto spekulime”, vijoi gazetari.