Edon Zhegrova nuk ishte në gjendje të luante mbrëmë nga fillimi në ndeshjen mes Bolognas dhe Lille.

Ylli kosovar kishte pësuar një dëmtim të lehtë në ndeshjen me Rennesin në fundjavën që shkoi, ku ishte protagonist me golin e fitores.

Kjo bëri që trajneri i ekipit francez të mos rrezikonte dhe vendosi ta fusë në fushë përfaqësuesin kosovar vetëm në 20 minutat e fundit.

Sidoqoftë, Lille fitoi në Itali me rezultatin 2-1 dhe e regjistroi kështu fitoren e tretë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, pasi paraprakisht i kishte mposhtur dy klubet madrilene, Realin dhe Atleticon.

Pas ndeshjes, 25-vjeçari bëri një postim përmes së cilit e shprehu gëzimin për fitoren, por foli edhe për lëndimin, duke e bërë njëkohësisht një premtim.

“Çfarë fitore e madhe sonte. Krenar me këtë ekip. Një lëndim i lehtë, por do të jem në 100 për qindëshin tim shumë shpejt”, shkroi ish-futbollisti i Baselit në rrjetet sociale.

Zhegrova ka qenë sensacional në këtë sezon duke realizuar 4 gola në Ligën e Kampionëve, tri prej tyre në kualifikime dhe një në fazën e ligës, por edhe 4 të tjerë në kampionatin francez të futbollit, Ligue 1.

Falë paraqitjeve fantastike në dy sezonet e fundit, ai e ka zgjuar interesimin e klubeve të njohura, ndërsa thuhet se në Itali e pëlqejnë Juventusi, Milani, Roma dhe Napoli.