Titulli: Ngjarje nga zhgjëndrra e tanishme
Autori: Max Blecher
Shtëpia botuese: Berk, 2024
Përzgjodhi: Alem Bedhija

1.

I

I kisha zili njerëzit rreth meje, mbyllur hermetikisht në të fshehtat e tyre dhe të vetmuar nga tirania e sendeve. Ata jetonin të burgosur nën pardesy e pallto, por asgjë nga jashtë nuk mund t’i llahtariste a t’i mposhtte, asgjë nuk depërtonte dot në burgjet e tyre të mrekullueshme. Mes meje dhe botës nuk ekzistonte asnjë ndarje. Gjithë ç’më rrethonte, më pushtonte nga koka te këmbët, sikur lëkura ime të ishte e shpuar. Vëmendja, përndryshe tejet e shpërndarë, me të cilën kundroja përreth, nuk ishte një akt i vullnetit. Bota i përzgjaste brenda meje, natyrshëm, të gjitha tentakulat e saj; isha i përshkuar nga mijërat krahë të hidrës. Duhej ta pranoja gjer në humbje shpresash se jetoja në botën që shihja. S’mund të bëhej asgjë kundër kësaj.

2.

III

Tash e tutje, instinkte të errëta bymehen, rriten, shformohen dhe hyjnë në kufijtë e tyre natyrorë. Ajo që do të duhej të kish qenë një shumëfishim dhe një mahnitje përherë në rritje, ishte për mua një varg dorëheqjesh dhe mpakjesh të dhunshme të banalitetit; zhvillimi nga fëminia në adoleshencë nënkuptoi një bjerrje të vazhdueshme të botës dhe teksa gjërat organizoheshin rreth meje, aspekti i tyre i pashprehshëm terratisej, si ndonjë sipërfaqe shkëlqimtare që mbulohet me avull.

3.

IV

Një herë kinemaja mori flakë. Rrotulla e filmit qe këputur dhe kish marrë zjarr menjëherë, aq sa, për disa sekonda, mbi beze u fanitën flakët e zjarrit si një njoftim besnik se kinemaja po digjet dhe, njëherazi, si një vijim logjik i rolit të aparatit për të paraqitur “lajmet e ditës” – ky mision i tij e kish bërë, falë një nevoje të tepruar pedanterie, të shfaqte lajmin më mbresëlënës, atë të djegies së vet.

4.

IV

Të gjitha këto mërguan nga jeta në panoptikum.

5.

VI

Rreth meje, sipërfaqet e botës fituan befas shkëlqime të çuditshme dhe vëllime të pasigurta, si të perdeve që bëhen të tejpashme e na shfaqin befas thellësinë e një ode, kur drita ndizet nën to.

6.

VIII

Ndoshta brenda nesh ekziston edhe një tjetër uri dhe një tjetër etje, përveç atyre të lindurave, se diçka tek unë e ndiente nevojën të platitej me një dhimbje të thjeshtë e të fortë. Më fort, gjithnjë e më fort e zhysja kokën dhe e fërkoja pas qimeve të ashpra, duke vuajtur me një vuajtje që kish nisur të më shqyente.

7.

X

Më kot njerëzit qenë mbështjellë me lëkurën e tyre të bardhë e të mëndafshtë dhe qenë veshur me rroba stofi. Më kot, më kot… Brenda tyre prehej, e paepur, perandorake dhe elementare balta; balta e ngrohtë, e trashë dhe kutërbuese. Mërzia dhe budallallëku, me të cilat mbushnin jetët, e dëshmonin mjaftueshëm.

Unë vetë isha një krijesë e veçantë e baltës, një misionar i dërguar prej saj në këtë botë. E ndieja qartë ato çaste se si kujtimi i baltës më kthehet në qenie, dhe solla ndërmend netët e mia plot përpëlitje e errje përvëluese, kur balta ime thelbësore vërsulej pa pikë dobie dhe rropatej të dilte në sipërfaqe; atëherë mbyllja sytë, dhe ajo vazhdonte të ziente në terr me grahma të pakuptueshme…

Rreth meje ndehej mejdani plot baltë… Ky ishte mishi im i mirëfilltë, me rrobat rrjepur, me lëkurët rrjepur, me muskujt rrjepur, rrjepur gjer në baltë.

8.

XI

Koka ishte çlodhja dhe dehja ime, vetëm imja. Po t’i kish përkitur mbarë botës, mbase do të kish ndodhur ndonjë hata. Një çast i vetëm lumturie do të kish qenë i aftë ta nguroste botën në amshim.

9.

XII

Edda ishte në të njëjtin pozicion, duke më vështruar me po atë habi të qetë; do të mund të thuhej se një forcë e ligë dhe tejet dinake u jepte gjërave pamjen e tyre më të rëndomtë, për të më hapur telashe pas telashesh. Ja, çfarë luftonte kundër meje, ja, çfarë ishte e patundur kundër meje: pamja e rëndomtë e gjërave.

10.

XIV

Përpëlitem, klith, drithëroj. Kush do të më zgjojë?

Rreth meje, realiteti i saktë më tërheq poshtë e më poshtë, duke u munduar të më fundosë.

Materiali është punuar nga Peisazhe të Fjalës