Klevis Bakillari

Tranzicioni, dhe kjo s’ka dyshim, do të zvarritet derisa shqiptarët t’i japin fund Salikracisë. Oferta e Salikracisë është tranzicion i pafund. Salikracia është një tren tranzit i amoralitetit politik tek dhuna institucionale e terrori publik. Shndërrimet e Salikracisë e bëjnë sfidën sa interesante aq të ashpër.E sfidoi Shqipërinë me armë në 1997, me eksplozion në 2008, me armë sërish në 2011 dhe me eksplozion të mandateve parlamentare në 2019.
Salikracia të sfidon me metastaza të egra. Kafazi e bën papagall. Liria e bën skifter. Zjarri kuçedër.Deti vampir. Rruga gangëster. Zyra përdhosës. Salikracia s’fle,Shkumbini fle. Dhe e shkrumbuar do të dojë të zgjohet nga hiri politik.

Salikracia është vetë tranzicioni. Deri kur? Deri kur të kemi opozitë të re. Po kjo përgjigje romantike vlen për letërsi politike, jo për një realitet arkaik e anarkik.
Projeksioni i fushëbetejës 2025 rrëzikon një metastazë të re rreth e brenda asaj që pretendohet të sjell një frymë të re . A do të jenë Partitë e Reja, mjaftueshëm rezistente në imunitetin e tyre të brishtë ndaj kafshimeve të Salikracisë?! A do te kemi një frymë politike që s’i frynë sherrit e tmerrit?

Qasje pro institucionale është përgjigje. E vetmja rrugë nga e ardhmja. Thembra e Akilit për Salikracinë. Opozitën e mirë e krijon nervi demokratik i popullit. Ky lob duhet të shfrytëzohet cilësisht nga forcat e reja nëse pretendojnë që të mbeten alternativa të reja deri ne zgjedhje. Është një hapësirë e ngushtë elektorale por shtigjet e rrëzikshme të çojnë në liri të plotë. Fushëbeteja opozitare ndodhet nën tutelën e Salikracisë dhe populizmi mund të bëhet matrikulim i partive të reja. Ky është rrëziku i një metastaze të re! Salikracia kërkon matrioshka të reja. Shqipëria kërkon alternativa të reja demokratike.
Ose do të kemi politikanë shtetndërtues ose do të kemi Opozitë të Re të studentëve pleq.