Aksioni ndaj informalitetit të pagave po hyn në një fazë të re. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve planifikon të nisë kontrolle për 7,000 tatimpagues të identifikuar me risk, të cilët nuk kanë reflektuar as pas njoftimit të dytë të Administratës Tatimore.

Tatimet në njoftimin e tyre të fundit ftojmë edhe njëherë bizneset të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre duke korrigjuar deklaratën e muajit nëntor, kësisoj këto subjektet të cilat janë tashmë të identifikuara si tatimpagues me risk do të përjashtohen nga kontrolli tatimor.

Aksioni i Administratës Tatimore ka filluar në muajin shtator me dërgimin e një mesazhi të personalizuar për të gjithë tatimpaguesit të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024, duke vijuar me një njoftim të dytë për tatimpaguesit mosdeklarues dhe tashmë ndodhet në fazën përfundimtare me ushtrimin e kontrolleve të thelluara në terren për ata që nuk kanë reflektuar pas njoftimeve të përsëritura. Ndaj këtyre tatimpaguesve parashikohet të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi.

Lufta kundër informalitetit të pagave është një përpjekje e qeverise shqiptare për të rritur pagesën e kontributeve dhe pensioneve si një e drejtë bazike ndaj qytetarëve.