39-vjeçari shqiptar që vrau gruan në Athinë është arrestuar nga policia greke.

Personi në foto është pikërisht shqiptari, në momentin e prangosjes në hyrje të pallatit ku banon në lagjen “Ampelokipi” të kryeqytetit grek.

Ka qenë vetë ai që lajmëroi policinë dhe u tha se kishte vrarë gruan, duke i dhënë dhe adresën e banesës.

39-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, e kishte vrarë gruan me çekiç të enjten e kaluar. Për një javë, trupin e pajetë e kishte fshehur në papafingon e banesës.

Siç i deklaroi policisë greke, krimin e bëri për shkaqe xhelozie. Ai u tha hetuesve se në momentin e vrasjes, fëmijët e tyre ishin në shkollë. Por gjatë gjithë javës, të miturit kanë qenë në banesë. Teksa në papafingo i ati kishte fshehur trupin e pajetë të nënës së tyre.

Kur policia shkoi në vendngjarje, në banesë vinte erë e rëndë për shkak të dekompozimit të trupit.

Trupi u gjet në papafingo, siç kishte deklaruar 39-vjeçari shqiptar, së bashku me disa qese të zeza të cilat u morën nga grupi hetimor për ekspertizë.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve, 9 dhe 12 vjeç.