Puna e bërë deri tani në procesin e integrimit evropianë, ka bërë bashkë Autoritetin e Mediave Audiovizive, (AMA) Lëvizjen Evropiane në Shqipëri dhe Qendrën për Transparence dhe Informim të Lirë, për të diskutuar për prioritetet dhe përafrimet e kuadrit ligjor të Shqipërisë në BE.
Armela Krasniqi, drejtuesja e AMA-s, vuri theksin tek propozimet e bëra nga institucioni për ndryshimet ligjore sa i përket piraterisë.
“Ndryshimet ligjore të propozuara nga institucioni jonë kanë kryesisht në fokus futjen e konceptit të piraterisë në ligj dhe ndëshkueshmërinë, forcimin e masa shtrënguese ndaj piraterisë televizive, si dhe ruajtjen e transmetuesve dhe investimeve të kryera nga operatorët në treg, heqjen e konceptit të licencave rajonale dhe lokale, duke përdorur një koncept të vetëm për licencën, ofrues shërbimi të mbështetur në një rrjet numerik kombëtar, në përputhje me kërkesën për ofrim parashikimin e ndëshkueshmërisë financiare, për çdo internet servis provajder, përfituesit dhe çdo subjekt që shkel parashikimin e ligjit 97/2013”, tha Krasniqi mes të tjerash.
Në këtë tryezë u diskutua dhe për sfidën që media ka përballë inteligjencës artificiale. Sami Neza, drejtor i qendrës për trasparencë dhe informin, u shpreh:
“Një ndër problemet më të mëdha që paraqiten në lidhje me përdorimin e IA në media audiovizive është se të gjithë gazetarët mund ta përdorin për krijimin e lajmeve, po pastaj ku është profili apo identiteti apo personaliteti i një krijimi të një lajmi, në raport me një tjetër, pra do kemi uniformitet të prodhimit të lajmit”.
Tryeza kishte fokus çështje të rëndësishme për zhvillimin e mjedisit mediatik në Shqipëri, nën moton “Përtej kufijve në lirinë e medias” dhe u zhvillua në kuadër të konventës kombëtare për integrim evropian.